Tajlandë, ushtria thërret politikanët

23/05/2014 00:00

Liderja e rrëzuar e Tajlandës, Yingluck Shinawatra është thirrur për sqarime nga regjimi ushtarak në Bangkok, që ka marrë kontrollin e vendit përmes një grushti shteti.

Zonja Yingluck është një nga mbi 100 figurat politike që janë thirrur nga ushtria, e cila u ka ndaluar 155 personave, mes të cilëve disa politikanë, që të largohen nga vendi.

Ditën e enjte ushtria pezulloi kushtetutën e vendit, ndaloi mbledhjet në grup në qytet dhe arrestoi disa politikanë, duke thënë se në vend duhet të kthehet normaliteti pas trazirave.

Ditën e premte, zonja Yingluck la një lokacion ku ishte thirrur dhe u drejtua për në një tjetër stacion ushtarak, raporton korrespondenti i BBC në Bangkok, Jonah Fisher.

Ende nuk dihet nëse ajo ishte e arrestuar, ndërkohë që shumë deputetë pro-qeveritarë janë fshehur. Grushti, që erdhi pas muajsh të tërë protestash anti-qeveritare, ka shkaktuar reagime kritike në rang ndërkombëtar.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe se ndihma e Uashingtonit prej 10 milionë dollarësh mund të pezullohej.

“Forcat e Armatosura, ato Ajrore Mbretërore dhe policia do të kujdesen për rivendosjen e rendit publik dhe do të sigurojnë vazhdimin e reformave të nisura tashme”, tha shefi i ushtrisë në fjalimin e tij të transmetuar në televizionin kombëtar. Nga ora 10 e mbrëmjes deri në 5 e mëngjesit është shpallur ndalim qarkullimi, vendim ky i kritikuar ashpër jashtë kufijve tajlandeze.
 
Që prej muajit nëntor, vendi ishte ngërthyer në një rreth vicioz përplasjesh mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të qeverise. Episodet e dhunës nuk munguan, dhe as viktimat, përleshjet e përgjakshme mes dy palëve i morën jetën të paktën 30 vetëve.

Në fillim të majit Gjykata Kushtetuese largoi nga posti kryeministren Yingluck Shinawatra nën akuzat për abuzim me pushtetin. Që atëherë opozita është duke u përpjekur të përmbysë qeverinë kalimtare të partisë tajlandeze Puea.

Mbështetësit e qeverisë, nga ana tjetër, kërcënojnë me luftë civile. Drejtuesit e grushtit të shtetit pezulluan kushtetutën dhe urdhëruan kryeministrin në detyrë dhe kabinetin e tij të raportojnë tek ushtria.

Dëshmitarët thonë se ne këtë pikë u arrit pasi pjesëmarrësit në bisedime u larguan nga ushtarët për shkak se nuk u arrit dot një kompromis mes kundërshtarëve dhe përkrahësve të Shinawatres.

Top Channel