Stambolli rindizet nga protestat

23/05/2014 00:00

Dy protestuesit e plagosur një ditë më parë gjatë përleshjeve me policinë në Stamboll, gjetën vdekjen ditën e premte.

Të rinjtë u plagosën rëndë gjatë përplasjeve mes protestuesve që fajësojnë qeverinë e kryeministrit Erdogan për tragjedinë në minierën e Soma-s, ku 301 persona gjetën vdekjen, dhe forcave të sigurisë.

Sipas njoftimeve të mediave turke, njëri prej tyre, një 30-vjeçar baba i një fëmije të mitur që kishte marrë një plumb në kokë, nuk ishte fare pjesë e protestës, por pjesë e një funerali që po mbahej rastësisht gjatë pikut të përplasjeve.

Viktima e dytë ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i një granate, që dyshohet se është hedhur nga forcat e policisë.

Guvernatori i Stambollit deklaroi se “fatkeqësisht nuk ishte mundur shpëtimi i jetës së tyre”, ndërkohë që forcat e policisë deklaruan se përdorën gaz lotsjellës dhe të shtëna në ajër për të shpërndarë turmën.

Të paktën 400 protestues u mblodhën sërish të premten para spitalit ku ndërroi jetë njëri prej viktimave me slogane “shteti vrasës mori sot një tjetër jetë”.

Pa mbushur ende vitin nga protestat e fuqishme në Parkun Gezi, qeveria e kryeministrit Erdogan rrezikon të përballet me një tjetër pakënaqësi masive popullore. Shkaku kësaj radhe është tragjedia e minierës së Soma-s.

301 minatorë gjetën vdekjen në incident. Protestuesit fajësojnë qeverinë për koncesionet korruptive që nuk garantojnë sigurinë e punonjësve, ndërsa fotografitë e një këshilltari të Erdogan duke rrahur një protestues e më pamjet filmike të vetë kryeministrit turk duke goditur një protestues i hodhën benzinë zjarrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB