
Pas një takimi me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian i dërgoi një mesazh të qartë liderëve politikë të vendit, duke u kujtuar atyre që duhet të kenë si objektiv kombëtar vetëm marrjen e statusit.
“Do të thotë përmirësim i standardeve të jetesës dhe rritje e mirëqënies dhe ne e kemi kuptuar se është kjo që qytetarët shqiptarë presin nga udhëheqësit e tyre politikë. Prandaj, suksesi për këto punë, këto përpjekje do të varet shumë duke lënë çdo gjë tjetër mënjanë. Duhet lënë çdo situatë tjetër politike mënjanë për të siguruar se e ardhmja europiane e Shqipërisë është objektiv kombëtar”, deklaroi Christian Danielsson.
Gjatë konferencës për shtyp ministri i Brendshëm tha se qeveria shqiptare ka ndërmarrë reformat e duhura dhe se në vlerësimin e saj ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“E informova zyrtarin për rezultatet e policisë që nga momenti që kemi marrë detyrën, rezultate që të japin motivin për të shpresuar se vendi po shkon në rrugën e duhur dhe se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është po ashtu në rrugën e duhur. Dhe ne jemi duke bërë maksimumin për të garantuar maksimumin e sigurisë që kërkojnë qytetarët shqiptarë”, deklaroi Tahiri.
Danielsson foli edhe për raportin që do të dorëzojë një javë më pas në lidhje me progresin e bërë nga Shqipëria në gjashtë muajt e fundit.
“Ky takim ka qenë i rëndësishëm edhe duke marrë parasysh raportin që ne do të dorëzojmë javën që vjen. Natyrisht, kjo ka të bëjë me vazhdimësinë apo qëndrueshmërinë e luftës që është bërë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reformën në gjyqësor. Dhe kjo do të jetë edhe baza e diskutimeve që do të bëhet mes vendeve anëtare në qershor, përsa i përket çështjes së statusit kandidat për Shqipërinë. Më lejoni që të thkesoj se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kërkesat thelbësore për progresin e Shqipërisë për integrimin e saj në BE”, nënvizoi Daniellson.
I pyetur për protestën e opozitës, zoti Danielsson preferoi të mos bënte asnjë koment.
Top Channel