“Rusia t’i kundërpërgjigjet NATO-s”

23/05/2014 00:00

Rusia duhet të hakmerret kundër aktiviteteve në rritje të NATO-s pranë kufijve të saj, ka bërë të ditur një gjeneral i lartë rus gjatë së premtes, duke shënuar kështu sinjalin e fundit të tensioneve me aleancën perëndimore për sa i përket krizës në Ukrainë.

Që kur Rusia aneksoi rajonin ukrainas të Krimesë, në Mars, NATO është vënë në lëvizje për të siguruar aleatët e nervozuar në Europën Lindore, duke shtuar stërvitjet ushtarake në rajon, si dhe duke dërguar përkohësisht anije dhe avionë shtesë.

“Grupime ushtarake të NATO-s në shtetet Baltike, Poloni dhe Rumani janë duke u ndërtuar, ashtu sikurse edhe prezenca ushtarake e bllokut në detin Baltik, detin Mesdhe dhe detin e Zi”, tha Gjeneral Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura ruse, gjatë një konference të Mbrojtjes në Moskë.

“Intensiteti, operacionet dhe gatishmëria luftarake e trupave të aleancës është rritur së tepërmi pranë kufirit me Rusinë. Në këto rrethana, na duhet të ndërmarrim masa për t’u kundërpërgjigjur”.

Një zëdhënëse e NATO-s tha se masat janë thjesht mbrojtëse.

Rusia ka kundërshtuar gjithnjë zgjerimin e NATO-s me vendet e Europës Lindore, një proces që ka shtuar anëtarët e aleancës deri në 28 kombe, përfshi edhe ish-republikat sovjetike, si dhe disa shtete të ish-Traktatit të Varshavës, dikur e drejtuar nga Moska. Presidenti Vladimir Putin tha, gjatë muajit të kaluar, se aneksimi i Krimesë nga Rusia ishte pjesërisht i influencuar nga zgjerimi i NATO-s.

Rusia ka përqendruar dhjetra-mijëra trupa përgjatë kufirit me Ukrainën Lindore, ku separatistët pro-rusë kanë shpallur pavarësinë nga Kievi, por zv/ministri ukrainas i Mbrojtjes tha të premten se ata do të zmbrapsen brenda pak ditësh.

E pyetur në lidhje me ndonjë koment mbi deklaratat e Gerasimov, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha se aleanca atlantiko-veriore ka marrë masat e duhura për të siguruar sigurinë kolektive të anëtarëve të saj “në prag të situatës së re të sigurisë të krijuar nga agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës”.

“Ka masa mbrojtëse, tërësisht në linjë me detyrimet tona ndërkombëtare. Puna bazë e NATO-s është mbrojtja e aleatëve dhe kjo është ajo që po bëjmë”, tha ajo.

Më pas, ajo shtoi se NATO nxit Rusinë të respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare, të tërheqë të gjitha forcat e saj nga kufiri me Ukrainën dhe të ndalë destabilizimin e mëtejshëm të Ukrainës.

Kriza në Ukrainë, një vend që pritet të zhvillojë zgjedhjet presidenciale të dielën, i ka dëmtuar marrëdhëniet mes Rusisë dhe aleancës perëndimore në nivelet më të dobta që prej Luftës së Ftohtë.

NATO pezulloi muajin e kaluar të gjitha bashkëpunimet praktike me Rusinë, në shenjë proteste ndaj absorbimit të Krimesë nga ana e saj. Por, pavarëisht tensioneve mbi Ukrainën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Gjeneral Anders Fogh Rasmussen, tha më herët gjatë këtij muaji se blloku nuk pritet të dërgojë trupa të shumtë luftarakë në Europën Lindore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB