Ndalimi i përgjimeve në SHBA

23/05/2014 00:00

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar projektligjin për të kufizuar aftësitë e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA) për të mbledhur në masë tabulatet telefonike të amerikanëve.

Përkrahësit thonë se ligji “Freedom Act” ofron balancën mes mbrojtjes së privacisë dhe mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Kritikët thonë se reformat e nevojshme nuk janë të plota.

Votimi, dje në Dhomën e Përfaqësuesve, mbi projektligjin përfundoi me 303 vota pro dhe 121 kundër, si dhe nuk tregoi ndarje në vija partiake.

Kjo është përgjigja e parë legjislative ndaj publikimit të informatave sekrete nga ish-kontraktori Edward Snowden, që i tregoi publikut përmasat e mëdha të programit të përgjimit dhe zgjoi reagime të forta edhe në shkallë ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit të Shërbimeve të Zbulimit, në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Rogers, e ka dënuar disa herë aktin e Snowden-it dhe përsëriti kritikat e tij para ligjvënësve, ndërkohë që shprehu vlerësim për projektligjin.

“Detyra jonë për mbrojtjen e vendit nuk duhet të pengohet nga veprimet e një tradhtari, apo të tradhtarëve, që nxjerrin informacione sekrete, që vënë në rrezik trupat në fushën e betejës, apo nga elementë që përhapin gënjeshtra, për të çuar përpara axhendën e tyre të shtrembër”, tha Rogers.

Zoti Rogers, dhe një grup ligjvënësish demokratë e republikanë, thanë se reformat nuk cënojnë aftësinë e shërbimeve të zbulimit për të kryer misionin e tyre, ndërkohë që nuk cënojnë as liritë e individit.

Ligjvënësja demokrate nga Teksasi, Sheila Jackson Lee, u shpreh: “Sot dua të deklaroj, se mbledhja masive e tabulateve ka marrë fund. Kjo ishte një arritje e madhe e vet popullit amerikan”.

Por, një numër ligjvënësish nga të dyja partitë, përfshirë një nga përkrahësit e projektligjit, thanë se shumë prej klauzolave ishin eliminuar, gjatë analizës së dokumentit në komisionet e ndryshme të Dhomës së Përfaqësuesve. Ligjvënësi demokrat Mike Honda shprehet: “Jam shumë i zhgënjyer, që ky projektligj popullor, me mbështetje dypartiake, është dobësuar kaq shumë, sa që unë nuk mund ta mbështes në këtë formë”.

Projektligji udhëzon kompanitë telefonike të mbajnë tabulatet telefonike të amerikanëve për 18 muaj dhe ta lejojnë NSA-në t’i kontrollojë këto të dhëna, gjatë proceseve hetimore për terrorizëm, pasi të jetë nxjerrë një urdhër gjykate.

Presidenti Obama e mbështet projektligjin, por aktivistët e të drejtave civile dhe kompanitë telefonike janë shprehur me kritika ndaj dokumentit. Ata thonë se dokumenti i mëparshëm është gjymtuar, për të siguruar mbështetjen e ligjvënësit Rogers dhe të të tjerëve. Tani projektligji i kalon Senatit, ku pritet të bëhet objekt debatesh të ndezura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB