Investimi i fasonëve në Skrapar

23/05/2014 00:00

Një fabrikë e prodhimit të këpucëve u hap nga një biznes fason në Çorovodë. Aty priten të punësohen rreth 300 vetë, banorë të zonës. Të pranishëm në inaugurim ishin ministra të ndryshëm të kabinetit Rama dhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta. Ky i fundit deklaroi se do të synohet që investimet prodhuese të shtrihen në të gjithë vendin.

“Me iniciativën tonë, pse jo edhe në qytete që janë edhe më larg se Çorovoda nga Tirana, siç është Erseka, ne të japim kontributin tonë që edhe atje të ketë aktivitete të tilla, dhe në të gjithë zonat e pafavorizuara, pra atyre që janë larg qendrave të mëdha, që janë larg tregjeve të mëdha, larg porteve dhe bregdetit, ne do të punojmë dhe do t’i japim prioritet punësimit, sepse nuk do të lejojmë që këto bukuri përrallore, që natyra i ka falur vendit tonë, të braktisen nga njerëzit”, u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, deklaroi se paketa fasone e miratuar nga qeveria, ka filluar të japë efektet e veta.

“Paketa fason, mbështetja ndaj manifakturës ka filluar të funksionojë. Gjithë përpjekja jonë, e mazhorancës dhe e qeverisë, për të pasur një paketë mbështetëse është materializuar këtu, në këtë ndërtesë të bukur, ku do të punësohen rreth 300 familjarë, në një qytet me tradita, që e do punën, në një qytet që do t’i tregojë pjesës tjetër të Shqipërisë se çfarë mund të bëhet me dëshirën për punën”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Top Channel