Tre ish-komandantët e UÇK-së nga Drenica, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, zyrtarisht vazhdojnë të jenë në arrati, ndërsa katër shokët e tyre të grupit janë dërguar të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku ka nisur procesi gjyqësor ndaj tyre.

Drejtori në detyrë i burgjeve të Kosovës, Shemsi Hajrizi, ka konfirmuar për Top Channel se tre të paraburgosurit, që ndodheshin në Qendrën Klinike Universitare, janë arratisur edhe pse ata ruheshin nga tre oficerë të burgut të Prishtinës.

“Ata mendohen se u janë shmangur, janë larguar apo arratisur, apo ka ndodhur sipas informacioneve të tjera se janë diku aty pranë, mirëpo nuk janë nën kontrollin tonë”, tha Shemsi Hajrizi, drejtor i Burgjeve.

Hajrizi ka thënë se ka kërkuar nga Policia e Kosovës, që të lëshojnë fletë-arreste për të arratisurit, ndërsa në Ministrinë e Drejtësisë është formuar një komision hetimor për të gjetur përgjegjësinë për arratisjen e të paraburgosurve.

Ndërkohë, të enjten gjatë ditës, kanë vazhduar protestat e familjarëve dhe mbështetësve të “grupit të Drenicës” në ambientet e Qendrës Klinike në Prishtinë.

“Nuk ka siguri në veri të Mitrovicës. Kemi kërkuar që të tërhiqet ai vendim, por nuk është kryer. Si shkak i mostërheqjes, ne kemi ardhur në përkrahje të tyre dhe familjarëve të tyre, të pamundësojmë arrestimin e tyre”, u shpreh Smajl Elezaj, kryetar i OVL-UÇK-së.

Për rastin e arratisjes së pjesëtarëve të “grupit të Drenicës” ka pasur reagime edhe nga subjektet politike opozitare, të cilat e kanë fajësuar Qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi, për dështimin në sistemin e drejtësisë. Ky i fundit, të enjten, nuk ka pranuar të flasë për këtë rast.

Arratisja e ish-pjesëtarëve të UÇK-së do t’ua rëndojë atyre akuzat. Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që arratiset nga institucioni, ku gjendet në mbajtje në bazë të vendimit të ligjshëm mbi privimin nga liria, dënohet me burgim deri në tre vjet. Ndërsa, nëse vërtetohet se arratisja e Lushtakut dhe dy të paraburgosurve të tjerë, u mundësua nga ndonjë oficer sigurie, ata mund të dënohen me burg deri në 5 vjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA