Greva, Braçe: Synon bllokimin e statusit

22/05/2014 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi mazhorancën për mos lejimin e grevës së urisë, të nisur një ditë më parë në krah të Kryeministrisë, të disa të larguarve nga puna.

Ndërsa nuk përmendi asnjë nga grevat e urisë të viteve të fundit, as atë të Partisë Socialiste dhe as atë të ish-të përndjekurve, Berisha kërkoi respektimin e të drejtës për grevë, duke revokuar një tjetër grevë urie më të largët në kohë.

“Zoti kryetar, bashkëkryetar, duhet të jepni sqarime se si ju, dhjetë ditë rresht këtu u respektuar dhe bllokuat sallën, baronët e drogës të cilët krijuan autostradat e drogës, shpallën sekuestrimin e çadrave të grevës së urisë. Kjo është një histori turpi. Ndaj dhe kërkoj këtu të respektohen të drejtat e qytetarëve për këtë protestë. Ata që mendojnë se kjo e dëmton statusin, ata gabohen dhe gënjejnë gjithë ditën. E kundërta dëmton statusin”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.

“Sapo dëgjova këtu argumentin se, ajo grevë që po bëhet atje nuk është kundër statusit, apo kundër vendimit të marrjes së statusit kandidat. Kam këtu procesverbalin e seancës të katër viteve më parë dhe i njëjti zotëri dëgjoni çfarë ka thënë… ‘Por ama, mos harroni se në një kohë kur u adoptuan këto qendrime (për grevën dhe vendimin e BE) u morën edhe vendimet më të rëndësishme dhe më historike për Shqipërinë. Absolutisht nuk ishte dhe nuk është e dobishme kjo (që sapo u tha këtu, në kohë tjetër, nga i njëjti person) në një kohë kur do të merrej vendimi në Bruksel, ju ndërtuat një kamp përpara zyrës sime. Unë nuk kisha asgjë me të dhe ju mund të rrinin sa ta gjykonit ju të arsyeshme, por a ishte momenti për të dhënë një mesazh, kur merreshin vendime të mëdha për Shqipërinë? Mua nuk më mbetet gjë tjetër veç respekti i padiskutueshëm ndaj çdo vendimi, por në fund të fundit çfarë ndodhi? Asgjë tjetër veç një ndasie të thellë mes jush në raport me BE (thotë zotëria). Pra ta lëmë amnezinë, pavarësisht moshës. Gjërat janë të shkruara dhe të dokumentuara”, tha deputeti socialist Braçe.

Ndërsa ish-kryetarja e Kuvendit, Topalli, teksa denoncoi atë që quajti shkelje e procedurës dhe rregullores parlamentare për diskutimin e kërkesës së demokratëve për ngritjen e një tjetër komisioni parlamentar për hetimin e trafikut të drogës, bëri një tjetër deklaratë.

“Statusi i vendit kandidat do të merret, sepse kushtet Shqipëria dhe shqiptarët kanë tre vite që i kanë  plotësuar. Ajo që është në rrezik, dhe mbajeni shënim, ruani vizat me atë çfarë po ndodh me trafikun e drogës dhe trajtimin që ju i bëni këtij fenomeni të vrullshëm kriminal që ka kapur Shqipërinë. Rrezikoni vizat. E dyta, kurrë kryetari i Parlamentit nuk mund të vendosë nëse do ngrihet apo jo një komision parlamentar. Gabuat rëndë”, u shpreh Jozefina Topalli.

“A ka mundësi lere, se vetëm ti nuk mund të më japësh leksion për praktikë parlamentare, se e ke bërë lëmsh këtë Parlament, po lere tani”, replikoi kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi.

Top Channel