Ukrainë, ndalohet gazetari britanik

21/05/2014 00:00

Një korespondent britanik i televizionit rus, Russian Today është ndaluar nga autoritetet ukrainase në qytetin lindor të Mariupolit.

Lajmi i ndalimit të gazetarit Graham Philips është dhënë nga vetë televizioni rus. Ministria e Jashtme britanike deklaroi se është vënë në kontakt me autoritetet ukrainase për të sqaruar shkaqet e ndalimit të Philips.

Korespondenti 35-vjeçar mbulon krizën në Ukrainën Lindore për televizionin rus. Autoritetet ukrainase njoftuan se kanë ndërmend ta transferojnë atë në Kiev.

Ai humbi gjurmët në orën 15:20 minuta të së martës. Russia Today njoftoi se Graham Philips është ndaluar nga shërbimet sekrete ukrainase, të njohura si SBU për t’u marrë në pyetje.

Garda Kombëtare e Ukrainës konfirmoi ndalimin e shtetasit britanik duke shtuar se pas mbërritjes në Kiev ai do t’i dorëzohet ambasadës britanike në kryeqytetin ukrainas për t’u lënë më pas i lirë.

Zv.shefi i Departamentit Anglisht të televizionit Russia Today, Alexey Kuznetsov u shpreh i shqetësuar mbi atë që mund t’i ketë ndodhur gazetarit. “Të gjitha përpjekjet tona për t’u lidhur me Graham kanë rezultuar negative, po ashtu edhe ato për të siguruar informacion mbi të nga ana e autoriteteve ukrainase të sigurisë”, tha ai.

Mariupoli shtrihet në jug-lindje të Ukrainës, në zonat ku pak ditë më parë u mbajt referendumi i njëanëshëm i organizuar nga separatistët pro-rusë që i kërkojnë Moskës që nën precedentin e Krimesë të aneksojë edhe këtë pjesë të Ukrainës.

Top Channel