SHBA: Rusia duhet ndalur

21/05/2014 00:00

“Rusia duhet të ndëshkohet nëse përpiqet të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës këtë fundjavë”.

Kështu deklaroi nga Rumania ku ndodhet për një vizitë zyrtare zv.presidenti amerikan, Joe Biden. Ai kërkoi nga aleatët e Uashingtonit në Europën Lindore që të dënojnë ndërhyrjen e Moskës në Ukrainë.

“Nëse Rusia minon këtë proces zgjedhor, ne duhet ta ndëshkojmë atë dhe në të njëjtën kohë të investohemi më shumë në aleancën e NATO-s”, deklaroi Biden.

Por vendet e Europës Lindore dhe Perëndimore bashkë kanë një varësi të theksuar nga gazi rus. Zgjidhja për këtë, sipas Uashingtonit, është investimi në nxjerrjen e resurseve të veta. Rumania është e pasur me gaz natyror dhe me potencial eksportues të madh, pavarësisht se aktualisht importon një të pestën e sasisë së nevojshme për konsum, të gjithin nga Rusia.

“Duhet të sigurohemi që Rusia nuk do të përdorë më burimet e veta energjitike si një armë kundër kujtdo në rajon. Zhvillimi i një tregu energjitik të siguritë dhe interaktiv është e ardhmja e kolegëve tanë europianë”, tha Biden.

Vizita është një mbështetje që Uashingtoni premton për aleatët e NATO-s nga ai që e quan ‘kërcënimi rus’. E nëse kjo nuk mjafton…

“Vendet e NATO-s nuk janë asnjëherë vetëm. Ne mbrojmë njëri-tjetrin”, tha Biden.

Shenjë e mbështetjes amerikane është edhe ndërtimi i programit amerikan anti-raketë në rajonin Deveselu i cili pritet të jetë gati në vitin 2015. Biden përshëndeti planin e Rumanisë për të rritur nga 1.5 në 2 përqind të GDP-së shpenzimet për ushtrinë, ndërsa theksoi se programi anti-raketë synon parandalimin e sulmeve nga Lindja e Mesme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB