SHBA: Rusët po përgatiten për largim

21/05/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë parë shenjat e para paraprake, që të bëjnë të mendosh se forcat ruse mund të jenë duke u përgatitur për t’u larguar nga kufiri me Ukrainën, bëri të ditur një zyrtar amerikan i Mbrojtjes për CNN.

“Ka disa prova përgatitjeje për një lëvizje masive”, tha zyrtari. “Në disa vendndodhje ka prova se ushtarët po mbledhin pajisjet e tyre, por ende nuk ka lëvizur asgjë”.

Zyrtari refuzoi të identifikohej, për shkak të ndjeshmërisë së këtij informacioni. Ai refuzoi gjithashtu të specifikonte vendndodhjet dhe theksoi se lëvizjet aktuale ende s’kanë ndryshuar gjë.

Këto vlerësime të fundit vijnë disa ditë pasi Rusia njoftoi formalisht se kishte urdhëruar trupat të tërhiqeshin në bazat e tyre të përhershme.

Shtetet e Bashkuara kanë përllogaritur rreth 40 mijë trupa në kufi me Ukrainën, gjatë muajve të fundit. Edhe pas njoftimit të fundit të Kremlinit, SHBA-të kanë vëzhguar me kujdes zonën në fjalë, pasi lëvizjet duhet të raportohen edhe nga imazhet satelitore të zonës kufitare mes Rusisë dhe Ukrainës.

Top Channel