Nigeri, rebelët sulmojnë fshatin, 26 viktima

21/05/2014 00:00

Të paktën 26 persona janë vrarë në sulmet ndaj dy fshatrave në veri-lindje të Nigerisë, në afërsi të vendit ku muajin e kaluar u rrëmbyen mbi 200 vajza.

Përgjegjësia edhe këtë radhë i është atribuar grupit rebel Boko Haram. Persona të armatosur vranë 9 vetë në fshatin Shaua dhe 17 të tjerë në Alagarno, bënë të ditur autoritetet policore dhe dëshmitarë.

Zona ndodhet pranë lokalitetit Çibok, ku nxënëset e shkollës u rrëmbyen dhe aktualisht dyshohet se ndodhen në një zonë të thellë pyjore, pranë kufirit me Kamerunin.

Ditën e martë, 118 persona humbën jetë nga bombardimi i qytetit qendror të Josit, për të cilin u fajësua sërish Boko Haram.

Rrëmbimi i mbi 200 vajzave ka shkaktuar reagim në shkallë ndërkombëtare dhe ka detyruar fuqitë e huaja që të dërgojnë këshilltarë ushtarakë për të asistuar ushtrinë nigeriane. Departamenti amerikan i Shtetit ka dënuar ashpër sulmet e fundit.

Zëdhënësja Jen Psaki i cilësoi ato si “akte terroriste të pamëshirshme” dhe tha se SHBA do të mbështesin qeverinë nigeriane dhe popullin në përpjekjet e tyre për të mposhtuar “ekstremizmin e dhunshëm”.

Edhe sekretari i Jashtëm britanik, William Hague e dënoi sulmin e djeshëm, duke e quajtur atë një “krim burracak dhe çnjerëzor”.

Veri-lindja e Nigerisë është shumë e cënueshme nga sulmet pasi në shumë zona të saj ushtria nuk hyn dot dhe rebelët veprojnë lirshëm, raportojnë korrespondentët.

Top Channel