FADIL LEPAJA – Çka po kërkojnë këta, pse kanë dalë në demonstrata”, po pyeste një gjyshe tradicionale e mbuluar me një shami të kaftë, e cila po ecte trotuarit mbështetur për një gjyshe tjetër të veshur “allafranga”! E hutuar, e harruar edhe nga Zoti, ajo mezi po i dëgjonte shpjegimet nga një vajzë të re, e cila i kishte vënë krahun një shoqes së vet dhe po ecnin të shkujdesura cepit të kolonës, të përcjella nga mediat. Ah, mediat tona janë përplot vëmendje për problemet më vitale të kësaj shoqërie.
“Kundër homofobisë, gjyshe, kundër… po e din”, ia ktheu vajza dhe e shtrëngoi për beli shoqen e saj.
“Ani, ani çika jeme, veç knaqnu ju”, ia ktheu ajo si nëpër tym, edhe pse nuk po e kuptonte ku e kanë hallin këta njerëz. Ishte mësuar me protesta dhe demonstrata të dhunshme, ku policia hidhte “tym” dhe protestuesit përlesheshin me ‘ta.
“Edhe Vlora tek është aty, me ‘ta”, i tha gjyshja tjetër, në vesh. E dini, kur përmendet qeveria, populli ynë heroik, ende me inercion e ul volumin dhe preferon me fol vesh më vesh.
Gjyshja ishte kureshtare. E kureshtja thonë e ka mbytë macen e jo më gjyshen… por ajo ishte kockë e fortë me gjithë moshën e saj të thyer.
E në Prishtinë, këtë javë u hapën dy tema të mëdha, njëkohësisht. Sikur për të bllokuar njëra-tjetrën. Jo tema të zakonshme, por megatema. Shoqëria jonë nuk ka probleme më të mëdha se këto. Pastaj është edhe fushatë. Elektorati ynë, vendor dhe ndërkombëtar, do të votojë varësisht se si deklarohen partitë lidhur me këto dy probleme madhore të shoqërisë tonë. Ekonomia dhe siguria nacionale nuk janë më top tema. As krimi i organizuar. Kemi megatema! Tash sa janë të mëdha këto probleme kjo është relative, por sidoqoftë janë tema për të cilat ndër shqiptarët epikë këndej Bjeshkëve të Nemuna po bisedohet zhurmshëm. Shpesh edhe me emocione, për të cilat veç një Zot e din se nga vijnë.
Përndryshe, nuk kanë mbetur shumë pengesa të mëdha drejt integrimit europian. Europa na ka ardhë te dera. Krejt përreth i kanë marrë vizat, po shkojnë kah të duan dhe u vijnë mysafirë nga gjithkah. Janë të besueshëm! Veç ne jemi të dyshimit ende. Ndoshta sepse qeveritarët i kemi të dyshuar. Europa nuk po e di ende qëndrimin e tyre rreth megatemave.
Ato parti dhe personalitete që ofrojnë zgjidhjen më të mirë për këto tema, e fitojnë… përkrahjen. Të tjerat janë inxhinieri! Edhe industri! Industri e votimit! Kështu po quhet tash kjo degë e ekonomisë tonë “të hirtë”, ku bëhet biznes i madh. Kjo shprehje erdhi, duke iu referuar akuzave për vjedhje “industriale” të votave nga zgjedhjet e kaluara parlamentare. Mos të thotë kush se nuk kemi industri!
E ju, mos mendoni se pengesa kryesore drejt Europës është krimi i organizuar, as korrupsioni! As krimet e luftës! Këto janë të zgjidhshme. Parlamenti nuk është më, u vetëshpërnda. Pas kësaj edhe qeveria po shkon. Kështu, vetvetiu s’ka më, as krim as korrupsion. Së paku jo derisa t’ia marrin dorën edhe këta të rinjtë që do të vijnë. Ndoshta vijnë edhe të mësuar, se edhe opozita, nuk janë të gjithë pa përvojë.
As krimet e luftës, nuk duken pengesë e madhe. Gjykatat ndërkombëtare i kanë dy probleme: me dëshmue fajësinë serbe dhe pafajësinë shqiptare. Fajësia serbe edhe po dëshmohet, por pafajësia shqiptare ende jo. Ende jemi të dyshimtë! Për gjithçka. Sidoqoftë, nuk janë temë, as krimet e luftës.
Por, temat më të vështira për diskutim janë punë “fytyre”. Me e mbulue krejt apo me e zbulue krejt, fytyrën. Edhe të tjerat, jo veç fytyrën. Për shembull: kush me kë? Këto janë megatemat. Duhet me i trajtue me kujdes! Përpara edhe prapa. Varet si e shtron problemin.
Pra, këto ditë në Prishtinë u zhvillua një protestë në mbrojtje të komunitetit LGBT, e në të cilën po merrte pjesë edhe vetë ministresha e Integrimeve Europiane, bashkë me ambasadorin e një vendi mik, në përkrahje të kërkesave dhe shqetësimeve të tyre të drejta. Se çdo protestë, si e do rendi, i ka disa kërkesa, edhe disa shqetësime, ku pasqyrohen hallet e komunitetit. Askush nuk del në rrugë pa një hall.
Çka po lypin, bre loke”, po vazhdonte të pyeste gjyshja, kalimtarët e rastit. Ajo ishte e shqetësuar se “mos po vijnë ata të Bajrës e po qesin tym”. Por, nuk ka rrezik nga shteti, gjyshe!
Rreziku vjen nga dikah tjetër.
Nejse, gjyshja nuk po kuptonte definitivisht se për çka bëhej fjalë. Në fund të fundit, po i thoshte ajo shoqes së vet, ne e “kullotëm” tonën, por… këta të rinjtë. Veç të rinjtë le të rehatohen!
Ka protesta të dhunshme, por ka edhe nga ato, paqësore, që më tepër janë promocion sesa protestë, por fjala protestë tingëllon më thekshëm dhe tërheq më shumë vëmendjen e publikut. Me një fjalë e sensibilizon opinionin vendor dhe ndërkombëtar rreth problemeve më akute të shoqërisë.
Pra, sensibilizimi u arrit. Ky komunitet i rrezikuar, u muar nën mbrojtje nga nivele të larta, vendore dhe ndërkombëtare, edhe pse nuk është krejt e qartë nga kush po vjen rreziku. Ndërkohë që kleri, katolik e mysliman, shprehu shqetësim lidhur me mesazhet morale të kësaj proteste. U konfrontuan ashpër sloganet mes vetes. Jo është sëmundje, jo nuk është sëmundje, homoseksualizmi. Por të gjithë u pajtuan se urrejtja është sëmundje. Emocion i ndaluar dhe i rrezikshëm. Duaje… armikun tënd!
Një kolumniste e shkëlqyer ndër ne e krahasoi ministreshën për Integrime, e cila prin për modernitetin e vet të sforcuar, me vetë Shote Galicën, e cila dikur zhvilloi luftën e saj të madhe për lirinë e popullit të vet. Liria natyrisht është shumëdimensionale dhe ajo zhvillohet bashkë me komunitetin.
Atëherë ishte… armiku. Ishte përballë! Tash, armiq nuk ka, por ka prirje të ndryshme. Për vete e kanë, tha gjyshja vetmevete. Nuk e dëgjoi askush. Por, ku gjyshja e ku politika jonë e integrimeve?! Larg!
Edhe protestat janë bërë si piknik. Askush nuk po lufton më. Të gjithë po puthen. Pa dallim feje e gjinie.
As “Bajra” nuk po hedh tym mbi protestuesit paqësorë.
Top Channel