Në konventën e Partisë Demokratike të Kosovës, kryeministri në largim Hashim Thaçi pranoi zyrtarisht nominimin për kryeministër edhe për një mandat tjetër.

Kryeministri Thaçi shpalosi para qindra adhuruesve të PDK-së pikat kryesore të platformës së tij, tashmë të njohur si “Misioni i Ri”. Ai rikujtoi qytetarët për themelimin e Fondit të Punësimit e krijimin e 200 000 vendeve të reja të punës, duke kërkuar kështu mbështetjen e tyre më 8 qershor.

“Këto zgjedhje janë për ju. 8 qershori është dita kur qytetarët e Kosovës do të rikujtohen për fuqinë që kanë për vendin tonë. Do të jeni para një kutie votimi dhe do të vendosni për të ardhmen tuaj dhe të familjeve tuaja. Do të japim maksimumin për një mision të ri, për krijimin e vendeve të punës”, tha Hashim Thaçi.

Gjatë konventës u prezantua nëpërmjet disa inserteve dhe ana e panjohur në publik e kryetarit të partisë, ajo familjare, duke nisur që nga pamjet e fshatit të tij Obri e deri te familja. E ajo që e mbështeti në kohë të vështira e të mira, mbetet bashkëshortja e tij, Lumnije Thaçi.

“Kam besuar dhe vazhdoj të besoj thellë në vizionin e burrit tim, kam qenë dhe jam e bindur se do të vazhdojë të jetë një kryeministër i shkëlqyer”, u shpreh Lumnije Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se për 2 mandate përmbushi 2 misione që kishin të bëjnë me ndërtimin e shtetit dhe se do të përmbushë edhe misionin e tretë duke zhvilluar ekonomikisht vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA