India i shtrin dorën Pakistanit

21/05/2014 00:00

India ka ftuar liderin pakistanez Nawaz Sharif që të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të kryeministrit të ri Narendra Modi.

Lajmin e ka bërë të ditur partia e këtij të fundit, BJP, që fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare në vendin e madh aziatik.

Nëse ftesa pranohet, atëherë kjo do të jetë hera e parë që një lider pakistanez merr pjesë në një eveniment të tillë. Liderë nga vende të tjera aziatike janë gjithashtu në listë.

Por analistët shprehen se përfshirja e zotit Sharif në të përbën diçka domethënëse duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara mes Indisë dhe Pakistanit.

Narendra Modi, që udhëhoqi partinë e tij BJP në fitoren bindëse të zgjedhjeve të fundit, do të betohet për marrjen e detyrës më 26 maj.

Rezultatet tregojnë se BJP arriti fitoren më të madhe të arritur ndonjëherë nga një parti në Indi në 30 vitet e fundit, duke marrë shumicën e vendeve në Parlament dhe duke spostuar Partinë e Kongresit.

Ditën e mërkurë zoti Modi dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të shtetit perëndimor të Gujaratit, një post që mbante prej 12 vjetësh.

Ai shihet si një element i pakompromentueshëm përsa i përket çështjeve të sigurisë dhe partia e tij prej kohësh ka mbrojtur qëndrimin e rreptë ndaj Pakistanit.

Megjithatë, korrespondentët thonë se fitorja e gjerë në zgjedhje i jep atij mandatin për të pasur një qasje tjetër ndaj Pakistanit, të cilën administrata e kaluar nuk e kishte.

Top Channel