FBI, rekrutohen hacker-a, që konsumojnë kanabis

21/05/2014 00:00

FBI raportohet të kenë thënë se “po ndeshet me pyetjen”, nëse ia vlen të punësosh ekspertë të kibernetikës, të cilët përdorin kanabis.

Politika aktuale e agjencisë amerikane ndalon çdo person, që punon për të, të ketë konsumuar kanabis në 3 vitet e fundit.

Gjithsesi, drejtori i FBI-së James Comey ka pranuar se kjo gjë po komplikon përpjekjet e tij për të rekrutuar ekspertë të piraterisë elektronike, siç bën të ditur “Wall Street Journal”. Sipas kësaj medie, Comey e bëri këtë njoftim në një konferencë në Nju Jork.

“Më duhet të rekrutoj një forcë të madhe punëtore, për t’u përballur me këto kriminelë piraterie, pavarësisht se disa prej atyre fëmijëve dëshirojnë të konsumojnë marijuanë përpara intervistës”, është cituar të ketë thënë Comey nga gazeta, në takimin e përvitshëm të Institutit të Krimeve të Jakave të Bardha.

Më tej shtohej se, kur një i ftuar pjesëmarrës e kishte pyetur se si duhej të vepronte një shoku i tij, konsumator kanabisi, i interesuar për të punuar për Byronë Federale, Comey u përgjigj: “Thjesht duhet të ecë përpara dhe të aplikojë”.

Ndryshe nga FBI, Njësia Kombëtare e Krimeve Kiberbetike të Britanisë së Madhe (NCCU) nuk ka referenca specifike ndaj kanabisit, por flet për një ndalim të përgjithshëm të aplikantëve të përfshirë në “keqpërdorimin e drogave”.

Një ekspert thotë se ishte diçka tepër e ndjeshme rishikimi i politikave anti-drogë.

“Tipi i hackers-ave që duhen rekrutuar janë të rinj dhe të rinjtë tentojnë të kenë sjellje të këqija, siç është edhe pirja e marijuanës, por, me kalimin e kohës, kushdo pret që ata ta bëjnë sa më pak këtë gjë”, tha doktor Richard Clayton, nga Laboratori i Informatikë së Universitetit të Kembrixhit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA