Ukrainë, bosi i Lindjes kërkon miting

20/05/2014 00:00

Njeriu më i pasur në Ukrainë, Rinat Akhmetov, bën thirrje për një miting madhështor në lindje të vendit, si dhe akuzoi separatistët se po e çojnë vendin drejt “genocidit”.

Manjati i çelikut tha se “njerëzit janë të lodhur, duke jetuar në frikë dhe terror” dhe u bëri thirrje dhjetra-mijëra punëtorëve, që punojnë në ndërmarrjet e tij, të udhëheqin protestat.

Një iniciativë e ngjashme javën e kaluar, bëri që separatistët rusë të humbnin kontrollin e Mariupolit. Në lindje të Ukrainës, kryengritësit pro-rusë kanë marrë nën kontroll qytetet më të mëdha të Donjeckut dhe Luhanskut.

Më 25 Maj, në Ukrainë do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale, por, duke iu referuar situatës në lindje, zor se ato do të zhvillohen në këtë rajon. Akhmetov, pasuria e të cilit vlerësohet në mbi 11 miliardë dollarë, është një nga njerëzit më me influencë në Lindje të Ukrainës.

Ndërmarrjet e tij, ku punojnë rreth 300 mijë punëtore, ndodhen në Donbass, zonë industriale në lindje të Ukrainës, ku rebelimi anti-Kiev ka prekur kulmin. Aleancat e Akhmetov kanë qenë të dyshimta për shkak të lidhjeve me ish-presidentin Viktor Yanukovych, apo marrëdhënieve tregtare me Rusinë.

Në fjalimin, që u shfaq nga televizioni i tij privat “Ukrayina”, ai kritikoi ashpër separatistët. Akhmetov tha se ukrainasit do të zhvillojnë një “protestë paqësore” në vendet e tyre të punës, prej pasdites së të martës dhe do të vazhdojnë çdo ditë deri sa të “vendosim paqen”. “Përndryshe – tha ai – parashikoj genocid në Donbass”.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të paktën 130 persona kanë humbur jetën pas përshkallëzimit të situatës në lindje. Të hënën, presidenti rus Vladimir Putin vendosi të tërheqë trupat, që ndodheshin në kufirin me Ukrainën. Sipas NATO-s, nuk duket asnjë shenjë e lëvizjës së ushtarëve, por zv/ministri rus i Mbrojtjes, Anatali Antonov, i tha BBC-së se procesi i tërheqjes “tashmë ka nisur”.

Top Channel