Shumë qytetarë të Kosovës që jetojnë në diasporë kanë mbetur pa u regjistruar për të votuar me postë, për shkak të dështimit të serverave të KQZ-së për t’u kthyer përgjigje në kërkesat e dërguara.

Isa Kosumi, konsull i Kosovës në Gjenevë të Zvicrës ka shkruar të hënën në Facebook, pas mesnatës, kur ishte edhe afati i fundit i paraqitjes për regjistrim për votim nga mërgata se ky proces ishte edhe një injorim për diasporën.

Kosumi ka publikuar disa përgjigje negative që ka marrë nga KQZ në adresën e tij elektronike, nga e cila ka aplikuar për t’u regjistruar si votues i jashtëm.

Ai u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që dikush të japë përgjigje për dështimin e serverëve të KQZ-së për t’u kthyer përgjigje shqiptarëve që jetojnë jashtë shtetit e që duan të votojnë në zgjedhjet e 8 qershorit përmes postës.

Por, në KQZ kanë thënë se për shkak të ngarkesave që kanë pasur serverët dhe numrit të madh të aplikantëve për tu regjistruar në orët e fundit, nuk kanë mundur t’u konfirmojnë aplikimin me sukses të gjithëve.

Kryeshefi i KQZ-së, Enis Halimi ka thënë për Top Channel përmes telefonit se, gjithë ata qytetarë të diasporës që kanë dërguar kërkesat për regjistrim si votues të jashtëm, e që nuk kanë marrë përgjigje të suksesshme, do të trajtohen dhe do t’u pranohen aplikimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA