
Presidenti rus Vladimir Putin u takua, në Shangai, me kryetarin e shtetit dhe të partisë Komuniste kineze, Xi Jinping, e sipas të dhënave të agjencisë shtetërore të lajmeve “Xinhua”, delegacionet e të dyja palëve nënshkruan që në fillim të vizitës një numër “të madh” marrëveshjesh.
Në fokus të tyre është përfundimi i bisedimeve, që vazhdojnë prej vitesh, mbi marrëveshjen e re të gazit. Deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje mbi furnizimet ruse me gaz në Kinë, megjithatë zëdhënësi i Putin sqaroi se ka pasur progres në bisedime, “vetëm se duhet punuar ende për çmimin”.
Moska dhe Pekini negociojnë për këtë pakt prej gati dy dekadash. “Gazprom”-i njoftoi të dielën se është në prag të vulosjes se akordit, që i jep Rusisë të drejtën të furnizojë Kinën me 38 miliardë metër kub gaz në vit, sasi kjo që i përgjigjet një të katërtës të konsumit kinez.
“Jemi të vendosur që, deri në 2015-n, tregtia mes dy vendeve të arrijë në 100 miliardë dollarë. Mendojmë se është gjithashtu e rëndësishme të shtojmë cilësinë e bashkëpunimit tonë praktik. Do ta zgjerojmë atë në projekte madhore, nga të cilat do të kenë përfitim të dyja palët. Do rrisim fuqinë dhe konkurueshmërinë ndërkombëtare si të Kinës, ashtu dhe të Rusisë”, tha Xi Jinping, president i Kinës.
“Kina dhe Rusia kanë krijuar një komision bashkëpunimi për investimet, i cili do të mbikqyrë e do të nxisë shtimin e tyre, ndërsa do të nxisë njëkohësisht stimujt për biznesin e madh në lidhje me sektorin e energjisë”, tha Vladimir Putin, president i Rusisë.
Vizita e Putin-it në Kinë zhvillohet në sfondin e krizës në Ukrainë, si pasojë e së cilës SHBA-të dhe Bashkimi Europian i kanë vendosur Kremlinit sanksione, e kërcënojnë edhe me masa të tjera shtrënguese.
Bisedimet e Putin-it me homologun kinez Xi konsiderohen si sinjal në adresë të Perëndimit, se Rusia po kërkon të gjejë partnerë të rinj. Furnizimet me gaz në Kinë, sipas ekspertëve, janë edhe një rast i mirë për Moskën, që të minimizojë varësinë nga Europa, si një ndër tregjet kryesore për gazin rus.
Top Channel