Itali, PD videomesazh shqiptarëve

20/05/2014 00:00

Në prag të zgjedhjeve europiane, në program më 25 Maj, Partia Demokratike italiane i bën një thirrje të veçantë shqiptarëve me banim në Itali.

Në një video rreth tre minutëshe, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe anëtarë e aktivistë të Partisë Socialiste e të Forumit të të Rinjve Socialistë shqiptarë, u bëjnë thirrje emigrantëve shqiptarë me të drejtë vote, që të zgjedhin Partinë Demokratike të Matteo Renzi-t, si dhe Martin Schulz, për postin e kryetarit të Komisionit Europian.

Nisma është marrë nga seksioni shqiptar i Partisë Demokratike italiane, i kryesuar nga Ismail Ademi.

Llogaritet që nënshtetësinë italiane e kanë marrë rreth 70 mijë shqiptarë, duke përfshirë edhe të miturit. E pikërisht atyre, që kanë pasaportën italiane, u drejtohet videomesazhi në fjalë, që përmend edhe shifrat e pranisë shqiptare në Itali.

Ai mbërrin pas një tjetër thirrjeje të ngjashme, të bërë nga kryministri shqiptar përpara pak kohësh. Gjatë vizitës së tij në Panairin e Librit në Torino, ai deklaroi: “Nuk duhet ta lini t’iu ikë kjo mundësi. Pa asnjë dyshim, votoni për Partinë Demokratike italiane, që është e vetmja forcë e madhe e këtij vendi”.

Top Channel