Kosova do të jetë pjesë e nismës globale në hartimin e dokumenteve ndërkombëtare, që synojnë dokumentimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të përgjegjësve të krimeve të dhunës seksuale, gjatë luftës në Kosovë.

Në mbledhjen e dytë të Këshillit Kombëtar, të udhëhequr nga presidentja Atifete Jahjaga, u bë me dije se Kosova do të marrë pjesë në Samitin global në Londër, për këtë çështje. Presidentja tha se, në këtë samit, Kosova do të bëjë përpjekje për të ndihmuar gratë e dhunuara, në hartimin e Protokollit Ndërkombëtar.

“Jam e bindur, që Protokolli Ndërkombëtar, si pjesa përfundimtare zyrtare e këtij Samiti, do t’i shërbejë vendit tonë duke asistuar në punën e institucioneve dhe mekanizmave, tashmë të krijuar, që synojnë dokumentimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve të kësaj kategorie krimesh. Shpresoj që Kosova, si anëtare e kësaj nisme globale, do të arrijë të ofrojë një angazhim dhe përgjigje gjithëpërfshirëse, ndaj nevojave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës”, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por ka ardhur koha, që të mos lejojmë më stigmatizimin e tyre. Ka ardhur koha të përballemi me këtë kapitull të hidhur të historisë, duke thyer tabutë dhe heshtjen, që kanë mbizotëruar për kaq kohë, theksoi gjithashtu presidentja.

Në këtë takim, përfaqësuesit e Institutit për mbledhjen e dëshmive të luftës njoftuan se tashmë janë identifikuar mbi 75 vende, ku dyshohet se janë kryer dhunimet sekuale në kohën e luftës.

Anëtarët e këshillit përfaqësues të zyrave diplomatike, por edhe ata të shoqërisë civile, sërish u bënë thirrje viktimave të dhunës seksuale, të mos ngurrojnë për të dhënë dëshmitë e tyre. Ndërkohë që, u kërkua edhe kujdes i shtuar në trajtimin e këtyre viktimave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA