Tre ish-komandantë të UÇK-së nga Drenica, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, janë arratisur nga Klinika e Nefrologjisë në Prishtinë, ku ishin sjellë javë më parë nga burgu për t’u kuruar.

Pavarësisht se ambientet spitalore, ku po qëndronin pjesëtarët e akuzuar të “Grupit të Drenicës”, ruheshin nga njësi policore dhe gardianë burgu, arratisja e tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka ndodhur pa lënë gjurmë.

Burime të Top Channel, brenda Qendrës Klinike Universitare, kanë treguar në kushte anonimiteti se zyrtarët e UÇK-së janë arratisur, menjëherë pasi kanë kuptuar se trupi gjykues ndaj tyre kishte kërkuar që ata të transferoheshin të martën, në qendrën e paraburgimit në veri të Mitrovicës, ku ka personel dhe të burgosur serbë, por nën juridiksionin e Ministrisë kosovare të Drejtësisë.

Lajmin për arratisjen e Lushtakut, Jasharit dhe Haxhës, e ka konfirmuar për Top Channel Shemsi Hajrizi, ushtrues detyre i Drejtorit të Burgjeve të Kosovës. Përmes një deklarate me telefon, ai ka thënë se transportimi i pjesëtarëve të Drenicës nuk do të ndodhte, pasi ai nuk e ka nënshkruar kërkesën e trupit gjykues.

Hajrizi ka thënë se nuk do të lejonte dërgimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, në ambiente ku ndodhen të burgosur serbë dhe punonjës serbë, që mund të sillnin ndonjë incident të paparashikueshëm.

Të martën, gjatë gjithë ditës, në ambientet e Nefrologjisë kanë qëndruar familjarët e kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, por edhe bashkëqytetarë e mbështetës të tij. Ata e kanë kontrolluar gjatë gjithë kohës ambientin spitalor, ndërsa Policia e Kosovës dhe gardianët e rojet e burgut nuk janë parë asnjëherë të mbajnë gjendjen nën kontroll.

Për këtë, edhe mediat që po raportonin për ngjarjen kanë pasur probleme në punën e tyre, pasi janë sulmuar nga mbështetësit e Lushtakut, që po mbanin nën kontroll ambientin spitalor. Ata janë dëbuar nga mjediset e brendshme, me justifikimin se nuk kishin më ç’të filmonin atje, ndërkohë që për të realizuar këtë është ushtruar edhe dhunë.

Për ngjarjen në Qendrën Klinike të Kosovës kanë refuzuar të komentojnë zyrtarët spitalorë. Këta të fundit janë intervistuar nga hetues të EULEX-it, për të kuptuar si rrodhën ngjarjet deri tek arratisja. Tre të paraburgosur të tjerë nga “Grupi i Drenicës”, vëllezërit Jahir dhe Zeqir Demaku, si dhe Nexhat Qubreli, kanë hyrë në grevë urie, në shenjë proteste për vendimin për transferimin e tyre në burgun e Mitrovicës.

Arratisja, reagon avokatja e Lushtakut
Luljeta Gjinovci dhe i biri Mërgim Lushtaku përgënjeshtrojnë lajmin

Avokatja e Sami Lushtakut, Luljeta Gjinovci, dhe i biri i tij Mërgim Lushtaku kanë reaguar të martën pasdite, duke përgënjeshtruar lajmin se pjesëtarët e Grupit të Drenicës janë arratisur nga spitali.

Gjinovci dhe Lushtaku kanë thënë se pjesëtarët e “Grupit të Drenicës” gjenden brenda në Qendrën Klinike Universitare, ndërsa për protestën e mbështetësve të tyre thanë se është bërë në kundërshtim të transferimit të ushtarëve të UÇK-së në veri të Mitrovicës.

Avokatja dhe i biri i Lushtakut thanë se, në atë pjesë ata ndihen të pasigurt, ngaqë – sipas tyre, – gjithë ai vend udhëhiqet nga serbët, ndaj kërkojnë që paraburgimi t’u vazhdohet në Prishtinë.

Ndërkohë, asnjë institucion zyrtar kompetent në Kosovë nuk ka përgënjeshtruar lajmin e arratisjes së Sami Lushtakut dhe të të tjerëve nga ambientet spitalore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA