Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi të hënën takoi përfaqësuesit e bizneseve të  përpunimit të drurit, në fshatin Greme të komunës së Ferizajt.

Me këtë rast, para të pranishëmve Thaçi prezantoi programin e zhvillimit ekonomik, Fondin e Punësimit, nga i cili mund të jenë përfitues të gjitha bizneset.

“Kam besim të plotë se tek ju, qeveria e Kosovës do të gjejë partnerin e fuqishëm, që të shohim të gjitha mundësitë më të mira të mundshme, për krijimin e kushteve më të mira për biznes, qoftë për ndërmarrje të vogla, të mesme apo të mëdha, apo edhe për ata që duan të hapin biznese të reja”, tha Thaçi.

“Misioni i ri ngërthen në vete edhe vendimin për krijimin e Fondit të Punësimit, një Fond ky deri në 1.5 miliard euro. Fond që do të dedikohet drejtpërdrejt juve, qytetarë të nderuar, juve punëtorë të nderuar, juve udhëheqës të biznesit, juve që keni krijuar vende të reja të punës dhe çdokush që ka performancë të mirë, çdokush që siguron dhe garanton se do të hap vende të reja të punës do të mund të aplikojë dhe do të mund të jetë përfitues”, shtoi Thaçi.

Kryeministri u zotua për uljen e papunësisë nën 20 për qind për 4 vitet e ardhshme dhe u shpreh i bindur në fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit. Ai mori pjesë edhe në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e lagjes së re në Ferizaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA