
Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama paralajmëroi vendosmërinë e mazhorancës për të nisur një betejë të rëndësishme, atë të reformit të sistemit të drejtësisë.
“Duhet ta çelim kantierin e ri për të cilin jemi përgatitur gjithë këto muaj, atë të reformës në drejtësi dhe ndëshkimi i të pandëshkueshmëve është standardi europian që na mungon më shumë se cdo standard tjetër, qysh prej shumë vitesh, për të bërë të mundur që dora e drejtësisë të mos ndalet përpara askujt dhe në radhë të parë përpara të pandëshkueshmëve, të veshur qoftë me kostumin e politikës, qoftë me petkun e drejtësisë”, tha Rama.
Shqipëria, optimizëm për statusin
Rama: Kemi arritje, e meritojmë. Opozita keqdashëse
Kryeministri shprehu optimizëm për marrjen e një përgjigjeje pozitive nga Brukseli për statusin, madje theksoi se politika e jashtme e qeverisë së tij, e kontestuar ndonjëherë nga analistët apo shpesh nga opozita, për vijën e shprehjes së qartë të rezervave ndaj BE për mosmarrjen e statusit, mesa duket ka ndikuar në fryte që sipas Ramës, askush s’i mendonte në axhendën e gjashtëmujorit të parë qeverisës.
“Kemi arsye të forta të besojmë që kurrë nuk kemi qenë më pranë këtij objektivi strategjik të mohuar për 3 vite me radhë për Shqipërinë. Sigurisht statusi kandidat nuk është produkt i një procesi tërësisht të parashikueshëm, ne e dimë këtë, e provuam edhe në dhjetorin e kaluar, por ndryshe nga dhjetori i kaluar, kur era e keqe e qeverisjes së shkuar ishte ende fort ndikuese në gjykimin për Shqipërinë, përpos ndikimit të faktorëve të tjerë, jashtë nesh, tanimë qeverisja jonë e ndjekur nga afër përmes vëzhgimit rigoroz të Komisionit Europian është kthyer në argumentin më të fortë pro Shqipërisë”, theksoi Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare, pas takimit me kancelaren Merkel, së shpejti do të pritet edhe nga kryeministri i Holandës, vizitë e cila Top-Channel ka mësuar se pritet të zhvillohet më 29 maj. Ndërkohë që në fjalën e tij, Rama la të kuptohet se duhet të presim edhe kontakte të tjera të nivelit më të lartë mes Shqipërisë e vendeve të mëdha, takime që kanë munguar.
“Si afrim të ndjeshëm ndaj objektivit të statusit të vendit kandidat lexojmë edhe ftesën e kryeministrit holandez për një vizitë të afërt zyrtare tonën në Holandë, një kontakt i drejtpërdrejtë i nivelit më të lartë, që deri para pak muajsh dukej i pamundur. Jam i bindur se të tjera kontakte të munguara prej kohësh do të bëhen realitet në muajt në vijim”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe në akuzat e opozitës, të cilat i quajti një keqdashje absurde. “Është një keqdashje absurde mes shqiptarësh që nuk ndihmon në rrugën e vendimmarrjes së qershorit në Bruksel. Gënjeshtra, shpifje, fabrikime, dizinformim frontal dhe gjuhë e trashur që e vetëdiskretidojnë Partinë Demokratike si pengun e një grupi pushtetarësh të bërë tapë pas humbjes së 23 qershorit. I ka dhënë vetes statusin e ëngjëllit mbrojtës nga flakët e ferrit të drogës. Sigurisht, nuk ka mundësi ta besojë askush që shikon me sytë e vete, dëgjon me sytë e vet dhe mendon me mendjen e vet dhe jo me sytë veshët dhe mendjet e gridëruara në çatinë e SHQUP-it”, deklaroi Rama.
Top Channel