Prokuroria e Shtetit bashkë me Policinë e Kosovës zotohen se janë të gatshme për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve më 8 qershor.

Në një konferencë të përbashkët për media, zyrtarët e policisë dhe kryeprokurorja bënë të ditur se do të marrin masa ndaj të gjithë atyre që pretendojnë të prishin procesin zgjedhor dhe të keqpërdorin të drejtën e votimit.

Në kuadër të planit operativ, ku përfshihet edhe pjesa veriore, parashikohet harmonizimi i planeve operative edhe me EULEX-in dhe KFOR-in.

Ndërkohë, Prokuroria e Shtetit në grupin punues ka përfshirë të gjitha komunat dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile do të organizohen shtatë debate publike në komunat ku janë prokuroritë themelore, si dhe do të angazhojë 100 prokurorë dhe 300 anëtarë të stafit civil ditën e votimit. Kryeprokurorja apeloi që më 8 qershor çdo qytetar dhe organizatë e shoqërisë civile të raportojnë keqpërdorimet e votës.

“Çdo person i cili tenton të kryejë një vepër penale të tillë do të ndalohet, arrestohet dhe paraburgoset. Prandaj, ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës, gjithashtu dhe organizatat e shoqërisë civile, që rastet e keqpërdorimit të së drejtës së votimit t’i adresojnë në Policinë e Kosovës dhe tek Prokuroria e Shtetit. Të mos e hutojnë opinionin e gjerë me adresime të tjera, ngase kemi marrë vendimin që menjëherë dhe urgjentisht të veprohet për çdo informatë që vjen”, deklaroi Laura Pula.

“Sa i përket pjesës veriore të vendit, përpos angazhimit të gjithanshëm, ne atje kemi ngritur edhe shkallën e harmonizimit të planeve operative me EULEX-in dhe KFOR-in. Gjithashtu, ekziston një lidhje e fuqishme e niveleve organizative të Policisë së Kosovës, në nivel të stacioneve policore dhe prej stacioneve policore në nivel të drejtorive rajonale të veriut”, deklaroi nëndrejtori i përgjithshëm i policisë, Naim Rexha.

Prej zgjedhjeve të 2010-s, në shumicën e lëndëve që janë kryer nga ana e prokurorive, sipas Laura Pulës priten edhe akt-gjykimet e formës së prerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA