Indi, Kongresi refuzon dorëheqjet e familjes Gandhi

19/05/2014 00:00

Partia e Kongresit në Indi ka refuzuar një ofertë nga krerët e saj, Sonia dhe Rahul Gandhi, për dorëheqjen e tyre pas rezultateve shokuese të zgjedhjeve, bëri të ditur një zyrtar i lartë i partisë. Oferta ishte bërë në një takim post-elektoral në kryeqytetin indian, Delhi.

Partia në fjalë ka përfunduar me vetëm 44 vende në Parlamentin me 543 vende, si dhe me më pak se 20% të votave, duke shënuar kështu performancën më të dobët në historinë e tyre. Nacionalistët hindu të partisë “Bharatiya Janata”, (BJP), korrën një fitore historike me 282 vende dhe priten tashmë të formojnë qeverinë e re të Indisë.

Shefja e partisë së Kongresit, Sonia Gandhi, dhe djali i saj Rahul, lider i fushatës së partisë, kanë pranuar përgjegjësinë për humbjen e thellë.

Kongresi nuk mundi të fitojë asnjë vend në Parlament në 12 shtete. Përpjekjet e tyre për të forcuar demokracinë në parti, duke përzgjedhur kandidatët sipas stilit amerikan të zgjedhjeve primare, dështoi të jepte përfitimet e pritura elektorale.

Një deputet i Kongresit, Amarinder Singh, tha pas takimit në Delhi gjatë së hënës se “ata të dy ofruan dorëheqjen e tyre, por partia refuzoi me unanimitet”.

Komiteti i Punës së Kongresit (CWC) kaloi një rezolutë “ku shprehej besimi i plotë në lidershipin e Sonia Gandhi dhe Rahul Gandhi”, bëri të ditur media “Trusti i Indisë”.

Përpara takimit, sekretarja e përgjithshme e partisë, Shakeel Ahmad, tha për “Reuters” se “edhe nëse ata do të dorëzojnë dorëheqjen e tyre, secili prej anëtarëve të CWC-së do të refuzojë kërkesën e tyre – përfshi edhe mua”.

Një ndihmës i lartë i Sonia Gandhi-t tha se “kushdo” në parti dhe në qeveri kanë qenë përgjegjës për humbjen e tmerrshme.

“Si mund të fajësohet një individ për këtë rezultat? Kjo është një përgjegjësi kolektive, si e partisë edhe e qeverisë. Të gjithë, përfshi edhe unë, jemi përgjegjës për humbjen e partisë sonë”, tha Ahmed Patel për gazetën “Indian Express”.

Lideri i lartë i Kongresit, Ashëani Kumar, ka bërë thirrje për “ndryshime transformuese” në parti, që do të lejonin “mospajtimin e ndershëm”.

Top Channel