Protestat, PS: Aksion pseudo-opozitar

18/05/2014 00:00

Partia Socialiste ka ironizuar protestën e opozitës, e paralajmëruar për këtë premte. Deputetja Esmeralda Shkjau, duke e quajtur aksionin politik të opozitë si valë tërbimi pseudo-opozitar, deklaroi se tashmë motoja e demokratëve është “shpif, shpif se diçka do të mbetet”.

“Qytetarë, dilni në protestë dhe mbështesni ata që për tetë vjet me radhë ngritën bastionin e drogës në Lazarat, linjat e drogës në tokë, det e mesa duket edhe ajër!
Dilni e protestoni bashkë me prodhuesit e drogës, të cilët sigurisht sot kanë të gjitha arsyet pse të jenë të pakënaqur nga puna e Policisë dhe e shtetit, që trafikun e drogës po e ndëshkon.
Dilni në protestë dhe mbështesni ata që hapen kanalet e kontrabandës së naftës dhe cigares, që sigurisht sot janë të mërzitur pasi pagesat e majme për djalin apo vajzën e kryeministrit nuk ua hapin më dyert si gjatë tetë viteve të fundit.
Dilni të premten në protestë për të mbështetur organizatorët e shpërthimit tragjik të Gërdecit dhe vrasjeve të 21 Janarit, që sot më shumë se kurrë kanë filluar t’i tremben drejtësisë, që mund të vonojë ende se ende e kanë në dorë me veglat e tyre, por s’do harrojë në asnjë mënyrë të çlirohet e të bëjë drejtësi.
Të gjithë në protestë, bashkë me punonjësit e Ujësjellësit e të gjelbërimit të Bashkisë Tiranë, pavarësisht se sot Gjermania zyrtare falenderon Policinë e Shtetit shqiptar për punën e kryer dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në ndaljen e trafikut të drogës.”

Në fund të deklaratës, Partia Socialiste thotë se “tani që statusi kandidat është thuajse i sigurtë, opozita duhet të tentojë çdo gjë për ta ndalur rrugën drejt Europës”.

Top Channel