Protesta, Basha takim në Lushnje

18/05/2014 00:00

Pasi njoftoi mbajtjen e protestës për largimin e kryeministrit Edi Rama të premten e ardhshme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka nisur takimet në rrethe për organizimin e saj.

Në Lushnje ai tha se intensifikimi i trafikut të drogës është një rrezik kombëtar, ndaj largimi i Ramës sipas kreut të PD-së do të çlirojë të ardhmen e shqiptarëve.

“Avioni i drogës është vetëm maja e ajsbergut. Karteli i drogës duket se është bashkëfitimtar në kontratën e pushtetit”, tha Basha.

Kreu i PD-së foli edhe për emërimet e personave me precedentë penalë në administratë: “Mbi 40 persona janë emëruar nga e ashtuquajtura “Rilindje” me precedentë penalë në narkotrafikim. Përgjegjësia e kryeministrit është evidente. Asnjë ndjesë, asnjë reflektim dhe asnjë masë. Ne e akuzojmë për fshehje të së vërtetës dhe e akuzojmë për inkurajim të narkotrafikut. Ky është motivi që ne sot kërkojmë që Edi Rama të largohet nga qeverisja e vendit.”

“Protesta është një zgjidhje politike për t’i thënë STOP pushtetit të drogës. Është një betejë për sigurinë e përbashkët. Prania në shesh është forcë dhe fitore”, mbylli fjalën e tij kreu i Partisë Demokratike.

Top Channel