
Pasi presidenti Bujar Nishani ktheu në Parlament ligjin për Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive, Partia Demokratike synon të përfshijë në këtë çështje disa organizata partnere.
OSBE-ja dhe Këshilli i Europës, në përgjigje të kërkesës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, janë treguar të gatshëm të japin asistencën e tyre për ndryshimin e ligjit nëse kjo do t’u kërkohet nga Presidenti, Parlamenti ose opozita.
Një nga pikat e kundërshtuara nga Presidenti dhe Partia Demokratike është heqja e kompetencës së kreut të shtetit për të propozuar kryeinspektorin e pasurive të zyrtarëve dhe kalimi i kësaj kompetence tek mazhoranca në Parlament.
“Ky është momenti kyç kur ky institucion që është faktor kryesor në luftën ndaj korrupsionit, ka rënë. Rama jo vetëm ka shkelur Kushtetutën, por në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të dëgjojë zërin e publikut, të ekspertëve, të opozitës dhe të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët jo vetëm kërkojnë një ILDKP-ja të jetë e pavarur nga qeveria, por shprehen të gatshëm të ofrojnë edhe asistencën e tyre në forcimin e mëtejshëm të rolit kontrollues dhe të paanshëm të këtij inspektorati”, tha Eduard Halimi, deputet i PD-së.
Gadishmëria e organizatave partnere për t’i dhënë asistencë ligjore Shqipërisë në ndryshimin e ligjit për kontrollin e pasurive të zyrtarëve koinçidon me kërkesën e re të opozitës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Por, edhe pse përmend protestat, Partia Demokratike duket sikur lë hapur edhe një shteg për dialog.
“Ky është një moment i artë për Edi Ramën që të ndalë revanshin ndaj institucioneve dhe të hapë një këshillim të gjerë me publikun, opozitën, partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile për të bërë përmirësimet e nevojshme ligjore”, shtoi Halimi.
PD denoncon drejtorin e Sarandës: Eshtë arrestuar për drogë
Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, ka dalë në një konferencë për shtyp gjatë ditës së diel, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me emërimet e personave me precedent penalë në administratën publike.
“Arsyeja e lulëzimit të trafikut të drogës në Shqipëri është emërimi i personave me precedent penalë në administratën publike. Edi Rama i ka hapur dyert e pushtetit trafikantëve, duke u dorëzuar zyra të rëndësishme kriminelëve. Klement Balili është njëri prej tyre, i cili është kapur me 750 kg kanabis në Korrik të vitit 2006, ndërsa sot është i emëruar si Drejtor i Drejtorisë së Transportit në Sarandë”, është shprehur Ristani.
Por nëpërmjet një deklarate i akuzuari Kelmend Balili i hodhi poshtë akuzat e artikuluara nga selia blu prej deputetit Arban Ristani.
“Nuk jam dënuar asnjëherë në jetën time sqaron Balili dhe aq më shumë nuk kam asnjë lidhje me akuzat që më janë drejtuar sot mbasi këtë e tregon edhe dëshmia e penalitetit. Akuzat -thotë ai-janë shpifje të ulëta personale dhe politike që duan të denigrojnë figurën e tij, si dhe formacionin politik që ai përfaqëson”
Top Channel