Nisma kundër Lidhjes së Veriut

18/05/2014 00:00

Nisma e fundit e gazetarit të ri shqiptar, Arbër Agalliu, po gjen gjithnjë e më shumë mbështetës në rrjetet sociale dhe në media.

Ai ka realizuar një video, ku mbi 20 djem e vajza të huaja kërkojnë, secili në gjuhën e vet: Mjaft, Lidhja e Veriut.

Kjo forcë politike vazhdon të nxisë frymën anti-emigrantë dhe eksponentët e aktivistët e saj e bazojnë politikën e tyre pikërisht mbi ksenofobinë e racizmin.

Video e Arbër Agalliut, i cili jeton në Itali prej moshës 10-vjeçare, mbledh të rinj e të reja nga familje emigrantësh, të ardhur fëmijë ose të lindur në Itali. Të rinj, që nuk kanë të drejta të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre italianë, e që ende presin reformën e premtuar për dhënien e nënshtetësisë italiane.

Mes djemve e vajzave, me origjinë nga të katër anët e botës, është edhe stilistja Refiela Shoraj, e cila në shqip i jep një mesazh të qartë Lidhjes së Veriut.

Gazetari shqiptar thotë se, kohët e fundit, racizmi po përhapet gjithnjë e më shumë në Itali dhe arma e vetme kundër tij mbetet zëri ynë, i të rinjvë të brezit të dytë të emigrantëve.

Top Channel