Shtetasi i Shqipërisë, Denis Dragoni, është dashur të kalojë nëpër shumë procedura, për t’u pajisur me leje pune dhe leje qëndrimi të përkohshëm në Republikën e Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur me reciprocitet qeverisë së Shqipërisë, për sa i përket eliminimit të lejeve të punës për shtetasit shqiptarë.

I punësuar në një kompani me seli në Prishtinë, Denisi thotë se ka shpenzuar afro tre muaj kohë, me një kosto prej rreth 300 euro, për të nisur punë këtu. Të paktën 7 palë dokumente; përfshi kontratën e punës, dëshmi që nuk ndiqesh penalisht, çertifikatë mjekësore, vërtetim që profesioni përkatës mungon në Kosovë, e disa të tjera; nevojiten për të marrë lejen e punës.

Pas kësaj, duhet të aplikohet për letërnjoftim të përkohshëm të Republikës së Kosovës. Edhe në këtë rast, ka dy lloj lejesh: ajo e zakonshme, e cila vlen për një profesionist që ka nevojë Kosova, në të kundërt nuk mund të merret leja, si dhe një leje që quhet detyrim përjashtimi për pajisje me leje pune, e cila vlen për ndonjë ekspert të huaj brenda kompanisë.

E duke qenë se këto procedura janë për të gjithë të huajt, pa përjashtim, e vetmja gjë në të cilën ndihen të privilegjuar shtetasit e Shqipërisë është se nuk kanë nevojë t’i përkthejnë dhe noterizojnë dokumentet.

Me gjithë këto procedura, Denis Dragoni është ballafaquar në Tetor të vitit të kaluar.

Procedurat kanë ndryshuar paksa me ndryshimin e ligjit për të huajt, vitin që shkoi. Shtetasit e huaj, në këtë rast, nuk kanë më nevojë t’i drejtohen Ministrisë së Punës për të aplikuar për leje pune, por mund të vijnë drejtpërdrejt në Ministrinë e Brendshme, ku mund të aplikojnë për atë që quhet leje qendrimi për qëllim pune, pra gjithçka është e rregulluar sipas ligjit për të huajt.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë një vendim, që liron shtetasit e Shqipërisë nga këto procedura, siç bëri qeveria e Shqipërisë, pak ditë më parë.

Sipas udhëheqësit të divizionit për të huajt, Alban Arifit, për lehtësimin e procedurave për shqiptarët e Shqipërisë duhet një vendim politik në nivel ministrash. Aktualisht, ai thotë se gjithçka është e rregulluar me ligjin për të huajt, i cili ka ndryshuar dhe, si rezultat, është hequr krejtësisht procedura e aplikimit për leje pune pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas Ministrisë së Brendshme, statistikat zyrtare tregojnë se shqiptarët e Shqipërisë përbëjnë numrin më të madh të aplikantëve për të marrë leje pune dhe leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA