
Në kohën kur zhdukja e mistershme e fluturimit ‘MH370’ filloi të mbulohet nga harresa, një teori e re del në dritë mbi fatin e avionit malajzian, për të cilin nuk dihet më asgjë që prej zhdukjes nga radarët në 8 Mars.
Pretendimet se Boeing- u 777, i nisur nga Kuala Lumpur drejt Pekinit, me 239 persona në bord mund të jetë qëlluar gabimisht dhe ky fakt të jetë fshehur nga autoritetet, përbëjnë boshtin e librit të publikuar së fundi mbi ngjarjen e çuditshme.
Të afërmit e pasagjerëve dhe anëtarë të ekuipazhit vazhdojnë të jetojnë me makthin e pyetjes: Çfarë ndodhi? Si është e mundur që pas 71 ditë përpjekjesh globale e kërkimit të pareshtur, askush sot nuk e di çfarë pësoi avioni i Malaysian Airlines.
Dhe si të mos mjaftonte halli që kanë, tani del papritur në treg një libër i shkruar, duket me shpejtësi rekord, i cili ka prekur një pikë nevralgjike për ta. Libri i titulluar “Misteri” e bën të besueshëm pretendimin se avioni u qëllua aksidentalisht gjatë një stërvitje të përbashkët ushtarake amerikano-tajlandeze dhe se kërkimet qëllimisht u spostuan në pjesën e gabuar të oqeanit, si pjesë e tentativave për ta mbuluar çështjen.
“Familjarët e personave në bord me të gjithë gjasat nuk do ta mësojnë kurrë të vërtetën e fatkeqësisë së fluturimit ‘MH370’”, thotë autori Nigel Cawthorne.
“Asnjëherë nuk do ta dinë , shton ai, nëse njerëzit e tyre të dashur vdiqën pa dhimbje e pa qenë të ndërgjegjshëm për fatin e vet, apo gjetën vdekjen në një avion që rrëzohej i mbuluar nga flakët”.
Në libër, Cawthorne përmend një punëtor të një platforme nafte shumë pranë vendit ku zhvillohet stërvitja ushtarake të thotë se ka parë një avion që digjej. Fakti që në manovra kishte personel ushtarak nga disa vende të botës, ai e lidh me pretendimin tjetër se pikërisht këto shtete i kanë dërguar ekipet e kërkimit në drejtim të gabuar, pasi siç thotë dhe vetë: Në Oqeanin Indian nuk u gjet as edhe një pjesë, sado e vogël, e atyre që duhet të ishin mbetjet e avionit, e një gjë e tillë, është mjaft e dyshimtë.
Top Channel