Bërthamoret, Irani: Marrëveshja e mundshme

18/05/2014 00:00

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka këmbëngulur se arritja e një marrëveshje përfundimtare bërthamore me fuqitë botërore është ende e mundshme.

Komentet e tij vijnë pasi Irani dhe 6 fuqitë botërore; Britania, Kina, Franca, Rusia, SHBA-të dhe Gjermania, përfunduan raundin e katërt të bisedimeve bërthamore në Vjenë, pas të cilit raportohet shumë pak progres.

Perëndimi akuzon Iranin se është përpjekur të ndërtojë armën bërthamore, ndërkohë që Irani kundërpërgjigjet duke thënë se programi bërthamor energjitik është tërësisht për qëllime paqësore.

“Marrëveshja është ende e mundshme, por nuk duhet t’i lëmë vend iluzioneve. Shanset nuk duhen humbur sërish”, ka shkruar Zarif përmes Tëitter-it.

Më 20 Korrik, marrëveshja e përkohshme, sipas së cilës Irani duhet të shkurtojë pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së disa sanksioneve nga Perëndimi, pritet të skadojë.

Gjashtë fuqitë botërore, të njohura si P5+1, kërkojnë që Irani të reduktojë përgjithmonë aktivitetet sensitive bërthamore, për të siguruar se nuk do të mund të ndërtojë një armë bërthamore.

Teherani synon të heqë të gjitha sanksionet e vendosura nga OKB dhe Perëndimi, të cilat kanë gjymtuar ekonominë e saj. Bisedimet në Vjenë u ndërprenë të premten, me deklarata pesimiste nga të dy kampet.

“Diferencat janë ende të mëdha për të nisur hartimin e tekstit të marrëveshjes”, tha shefi negociator i Iranit, Abbas Araqchi, duke shtuar se “nuk është bërë asnjë progres i prekshëm”.

Ndërsa një diplomat perëndimor i paidentifikuar ka folur për AFP, duke thënë se “realisht nevojitet më shumë realizëm nga pala tjetër. Prisnim më shumë fleksibilitet prej tyre”. Negociatat do të rinisin në kryeqytetin austriak muajin e ardhshëm.

Top Channel