
Pas protestës së ditës së enjte, opozita do të zbresë sërish në rrugë ditën e premte, këtë herë përpara Kryeministrisë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur strukturat e partisë për të dhënë orientimet përkatëse për këtë organizim.
“PD me përgjegjësi të plotë ka parashtruar para shqiptarëve opsionin e zgjidhjes, që është largimi i Ramës dhe kupolës së tij. Largimi i tij është imperativ për të çliruar vendin nga kërcënimi i kartelit të vdekjes dhe lirinë e demokracinë nga karteli i drogës”, deklaroi Basha.
Duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, zoti Basha i bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen pa dallime partiake. “Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të majtë e të djathtë, të bashkuar në këtë hall që ka zënë Shqipërinë e shqiptarët: narkotrafikun ndaj të cilit mbyllen sytë me lejen e qeverisë shqiptare. Të bashkohemi për t’i thënë jo narkotrafikut dhe kësaj qeverie”, theksoi Basha.
Në protestën e fundit, kryetari i PD deklaroi se protestat do të vijojnë deri sa kryeministri Rama të japë dorëheqjen.
PD: Qeveria ka frikë nga hetimi
Opozita reagon pas rrëzimit të kërkesës për komision hetimor për drogën
Një deklaratë të ngjashme bëri pak momente pas tij edhe deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, i cili tha se provat për trafikun e drogës tashmë janë të qarta për të gjithë.
“Rama dhe Meta kanë frikë nga transparenca mbi trafikun e drogës, që po mbulon rrugët, detin dhe ajrin, që po alarmon Italinë, Greqinë dhe dje edhe Gjermaninë, që kapi një sasi rekord prej 5.6 ton. Rama dhe Meta nuk mund ta fshehin më avionin dhe makinën e drogës, duke i kthyer në mushkonja e buburrecë”, deklaroi Bylykbashi.
Protesta, reagon PS
Olta Xhaçka: Pushteti i PD ngriti kontrabandën
Partia Socialiste ka ironizuar thirrjet për protestë të opozitës. Deputetja Olta Xhaçka tha se thirrja e opozitës për protestë është thirrja e atyre që ngritën bastionin e drogës në Lazarat, linjat e drogës në tokë dhe, me sa duket, edhe në ajër.
“Ishte pushteti i demokrateve, që ngriti kontrabandën e naftës dhe cigares dhe që sot po bllokohen”, tha deputetja socialiste.
“Dilni në protestë qytetarë dhe bashkohuni me pronarë lajmesh e gazetash, që janë mësuar të mos paguajnë taksa, të zaptojnë toka, të ndërtojnë 6 kate me leje e 10 kate pa leje, në mes të Tiranës, me bekimin e kryetarit vulëhumbur të Bashkisë!
Dilni në protestë, o burra të gjithë, tani që po presim statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, sepse Gjermania, Italia, Greqia, mbarë Europa, janë shumë të shqetësuar me Policinë e Shtetit tonë, po kanë frikë ta thonë vet dhe ia kanë lënë dhëndrit sypatrembur të SHQUP-it ta thotë, bashkë me dasmorët trima të ish-Shtëpisë së Oficerëve!
Të dashur miq, në emër të kryetarit të Partisë Socialiste, të Grupit tonë Parlamentar, iu kërkojmë thellësisht ndjesë për shqetësimin e krijuar nga kjo valë tërbimi pseudo-opozitar. ‘Shpif, shpif, se diçka do të mbetet’ është motoja e tyre, ‘lufto, e prapë lufto kundër krimit e korrupsionit’ është motoja e secilit prej nesh. Dhe sot, fatkeqësisht, kjo opozitë e mjerë është bërë pasqyra ku krimi e korrupsioni frymëzohen, duke mos u ndjerë vetëm në luftën me shtetin e me ligjin”.
Top Channel