Kosova është në prag të fillimit të fushatës zyrtare për zgjedhjet parlamentare të 8 Qershorit, por puna më e madhe është në Komisionin Qendror të zgjedhjeve që do të merret me përgatitjen e të gjithë procesit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”. Daka tha se të gjitha subjektet politike tashmë kanë dorëzuar listat e kandidatëve dhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare po ecin normalisht.

Sipas kryetares së KQZ-së, në listat zgjedhore janë të regjistruar 1 milion e 787 mijë votues.

Pandi Gjata: Si po ecni me përgatitjen e zgjedhjeve, pasi keni pasur një kohë të shkurtër në dispozicion?

Valdete Daka: Jemi duke vazhduar me planin operacional, ku pothuajse të gjitha afatet ligjore tashmë janë duke përfunduar, por ne nuk kemi tejkaluar asnjë prej tyre.

Pandi Gjata: Tashmë ka përfunduar afati zyrtar i dorëzimit të listave të deputetëve, si ka shkuar në tërësi ky proces?

Valdete Daka: Procesi ka shkuar normalisht. Të gjitha subjektet politike kanë dorëzuar listat e tyre të deputetëve dhe presim të fillojë afati për certifikimin e tyre.

Pandi Gjata: Cilat janë disa prej vështirësive që jeni hasur gjatë punës suaj? Ndoshta edhe për shkak të afatit të shkurtër kohor. A ka patur probleme në veri të Kosovës?

Valdete Daka: Afatet e shkurtra janë një sfidë dhe të gjithë kanë qenë nën presion. Na është dashur të punojmë 24 orë. Këtë radhë nuk besojë se veriu do të jetë një sfidë më e madhe se herën e kaluar, pasi tani nuk e kemi më atë barrën politike. Subjektet politike nga veriu janë të interesuara të garojnë për Parlamentin e Kosovës dhe e gjithë kjo ka sjell që situata politike të jetë më pak e tensionuar.

Pandi Gjata: Në lidhje me veriun ju keni kërkuar edhe ndihmën e OSBE-së. Në komunat me shumicë serbe është një bashkëpunim i veçantë apo jo?

Valdete Daka: Po, ne kemi kërkuar që të kemi një asistencë nga OSBE-ja meqenëse situata e sigurisë është ende e brishtë në këtë pjesë të Kosovës. Asistenca e OSBE-së do të jetë e fokusuar vetëm në 4 fusha të veprimtarisë tonë dhe nuk do të jetë aq e gjerë sa ka qenë edhe në zgjedhjet lokale.

Pandi Gjata: Sa është numri i zgjedhësve në 8 Qershor dhe sa votues do të jetë numri i atyre që do të votojnë jashtë Kosovës?

Valdete Daka: Sipas listës paraprake kemi rreth 1 milion e 787 mijë votues, ku përfshihen edhe ata qytetarë që ndodhen jashtë vendit.

Pandi Gjata: Si do ta realizojë Kosova votimin e emigrantëve jashtë territorit të saj?

Valdete Daka:
Votimi jashtë Kosovës është paksa i komplikuar, megjithatë ka qytetarë që e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë pavarësisht se në një numër të vogël. Së pari, këta persona duhet të aplikojnë që të regjistrohen si votues jashtë Kosovës dhe nëse i plotësojnë kushtet Komisioni i dërgon fletën e votimit dhe më pas ata këtë flet votim, me anë të postës, e kthejnë në KQZ,  

Pandi Gjata: Mendoni se do të hasni në vështirësi për të monitoruar të gjithë procesin, duke pasur parasysh edhe kohën e shkurtër për përgatitjen e tij?

Valdete Daka: Tashmë fushata zgjedhore ka filluar edhe pse jo ende zyrtarisht. Nuk mendoj se do të kemi ndonjë vështirësi të veçantë edhe pse sapo kemi përfunduar zgjedhjet lokale.

Pandi Gjata: Kur mendoni se do të kemi një rezultat të parë zyrtar?

Valdete Daka: Këtë herë kemi të bëjmë me shumë kandidat dhe shumë subjekte politike, megjithatë unë mendojë se menjëherë pas ditës së zgjedhjeve, në orët e vona të mbrëmjes, do të kemi një rezultat paraprak, ndërsa rezultatet zyrtare me siguri që do të vonohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA