Multinivelet europiane dhe ndarja territoriale

16/05/2014 00:00

Gjergji Duro – Në kuadrin e reformës së pushtetit vendor dhe nëpërmjet ndarjes së re territoriale, një prej çështjeve që ka pasur më shumë diskutim është ajo e strukturave të nivelit të dytë ose e qarqeve.

Përgjithësisht pranohet nga të gjithë se qarqet nuk e kanë përmbushur misionin që iu besua. Megjithatë ende nuk ka një analizë të plotë të arsyeve dhe shkaqeve pse qarqet nuk e justifikuan ekzistencën e tyre. Kjo analizë duhet bërë lidhur ngushtë me të gjithë problematikën e funksionimit të qeverisjes vendore, dhe në veçanti me zbatimin e procesit të decentralizimit. Mungesa e një analize të tillë të çon në konkluzione ose deklarata të shpejtuara e jo fort të besueshme. Në fakt, për reformën administrative territoriale në media ka pasur një numër rekord artikujsh, por për shkak të mungesës së një dokumenti politikash mbi reformën, dokument që duhej të përgatitej dhe të paraqitej nga qeveria, diskutimet dhe opinionet nuk janë përqendruar në çështjet thelbësore të reformës. Ky boshllëk, në një farë mase, është plotësuar nga analizat dhe studimet e kryera vitet e fundit nga disa organizata joqeveritare, studime të cilat po konsultohen nga Komisioni Parlamentar i Reformës Territoriale.

Sipas analizës së Shtetitweb, qarqet nuk e realizuan funksionin e tyre, sepse në mungesë të një vullneti politik të pushtetit qendror (nga të dy krahët e politikës) asnjëherë nuk u miratua një ligj që do të përcaktonte përgjegjësitë dhe kompetencat e qarqeve dhe mënyrën e funksionimit të tyre në raport me nivelin e parë të qeverisjes vendore dhe të vetë pushtetit qendror. Akoma sot, qarqet konsiderohen “rripa transmisioni midis qeverisë qendrore dhe qeverisjes lokale”. Në këta 15 vjet, qarqet janë marrë kryesisht me hartimin e strategjive të zhvillimit, të hartuara nga organizatat joqeveritare dhe të financuara nga donatorët ndërkombëtarë, të cilat nuk kanë pasur pothuajse asnjë ndikim në qeverisjen dhe zhvillimin ekonomik të tyre. Për më tepër, pavarësisht këtyre strategjive, investimet në territor janë kryer prej qeverisë qendrore. Burimet financiare të qarqeve kanë qenë simbolike. Mjafton të përmendim faktin se në pesë vitet e fundit, burimet e të ardhurave financiare të qarqeve kanë zënë vetëm 6.7% të burimeve të pushtetit vendor, nga të cilat 3.1% e tyre kanë qenë “donacione” të bashkive dhe komunave. Në volumin e shpenzimeve, qarqet kanë bërë vetëm 5.1% të shpenzimeve totale të pushtetit vendor. Kur llogarisim që pushteti vendor (bashkitë dhe komunat) shpenzojnë vetëm 7% të fondeve publike, atëherë pjesa e qarqeve me të vërtetë rezulton e papërfillshme.

Praktikisht, nga pikëpamja ekonomike dhe financiare, rolin e qarkut e kanë luajtur drejtoritë rajonale të dikastereve qendrore, të cilat kanë “pushtet absolut” nga çdo pikëpamje. Minimalisht në çdo qark dhe/ose rreth ka 55-60 drejtori rajonale, të cilat kanë jo vetëm pjesën e luanit të shpenzimeve publike, por vendosin deri dhe emërimet e pastruesve të shkollave apo kopshteve. Të ngritura për zbatimin në terren të politikave rajonale të ministrive përkatëse dhe për të ushtruar kontroll gjatë zbatimit të tyre nga autoritetet vendore, strukturat e dekoncentruara janë marrë gati ekskluzivisht me menaxhimin e fondeve dhe emërimet.

Në ballafaqimet e ndryshme që janë organizuar në terren, Shtetiweb ka argumentuar nevojën e ruajtjes së nivelit të dytë, jo thjesht se tradicionalisht kështu e kemi pasur, por sepse është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, po qe se konceptohet si duhet e në radhë të parë me kompetenca dhe funksione për politika zhvillimi rajonale dhe për kontroll të territorit. Eksperienca e disa vendeve kufitare me Shqipërinë, si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, që kanë adaptuar modelin me një nivel të qeverisjes vendore, ndryshe nga shumica e vendeve europiane, duhet të shihet e lidhur me karakterin shumetnik të këtyre vendeve (megjithëse dhe në to ka një ndarje imagjinare rajonesh për efekt të absorbimit të fondeve nga një numër më i madh përfituesish). Referimi i këtij modeli nuk u përshtatet kushteve të vendit tonë.

Po cila është prirja në Europë dhe cilat janë orientimet e BE-së?

Pikërisht tani kur ne jemi duke diskutuar rreth modelit të qeverisjes vendore, Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Europian (KRBE) në sesionin plenar të tij më 2-3 prill 2014 miratoi Rezolutën “Mbi kartën për qeverisjen me shumë nivele në Europë” (“Charter for Multilevel Governance in Europa”. Rezol-V-012). Kjo kartë, duke filluar nga 9 maji 2014, do të jetë e hapur për t’u nënshkruar prej të gjitha strukturave të pushtetit vendor në BE. Në këtë dokument, KRBE u bën thirrje autoriteteve publike të të gjitha niveleve të qeverisjes (lokale, kombëtare dhe europiane) për të përdorur dhe për të promovuar qeverisjen me shumë nivele (MAPL) në reformat e tyre të ardhshme. Qysh në nenin 1 të kësaj karte, thuhet: “Duke pasur parasysh se shumë kompetenca dhe përgjegjësi janë të përbashkëta në mes të niveleve të ndryshme të qeverisjes në Bashkimin Europian, ne shohim nevojën për të punuar së bashku e në partneritet, për të arritur kohezion më të madh ekonomik, social dhe territorial në Europë. I vetëm asnjë nuk mund të përballet me sfidat me të cilat po ndeshemi…” Pra, qeverisja me shumë nivele është modeli qeverisës në vendet e BE-së dhe reformat në zhvillim, në këto vende (Francë, Itali etj.), synojnë jo heqjen dorë prej këtij modeli, por pakësimin e numrit të njësive për të rritur eficiensën dhe ulur shpenzimet. Këtë model duhet të ndjekim edhe ne.

Konteksti është i qartë dhe pa ekuivok, prirja duhet të jetë rajonizimi, jo vetëm territorial por edhe virtual, çka nënkupton marrëveshjet ndërkufitare e ndërrajonale, duke krijuar një “multipartneritet”, që bashkon kulturat, traditat, universitetet e deri tek OJF-të në platforma dhe struktura të përbashkëta ose të bashkuara. Në këtë përpjekje, thuhet në kartë “…ne respektojmë plotësisht legjitimitetin dhe përgjegjësinë e çdo niveli dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë”.

Edhe pse kjo kartë nuk është “urdhëruese”, është e vërtetë se të gjitha urat e bashkëpunimit mes vendeve të Bashkimit Europian dhe network-ët ngrihen dhe ndërtohen mbi bazën e këtij orientimi. Nëse në Shqipëri do të eliminojmë nivelin e dytë apo do ta mbajmë atë sa “për sy e faqe”, sepse nuk bëjmë dot ndryshime kushtetuese, do të thotë që bëjmë një reformë të cunguar dhe që ndërpret mundësinë e komunikimit në nivel rajonal me partnerët tanë europianë. Të ndërpresësh këtë komunikim, do të thotë të minimizosh përfitimet nga fondet strukturale rajonale, të cilat jo vetëm janë në vlera të mëdha monetare, por krijojnë kushte për bashkëpunim ekonomik të ndërthurur me interesat e tyre e në interes tonë të drejtpërdrejtë, për mirëqeverisje, për demokratizim, por sidomos për zhvillim ekonomik.

Ne besojmë se dokumenti “Karta për qeverisjen me shumë nivele në Europë”, do të jetë në vëmendje edhe të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale, dhe do të shërbejë në përcaktimin e modelit të qeverisjes vendore në Shqipëri.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA