
Me votim është shkarkuar kreu i Këshillit të Qarkut të Korçës Landi Gusho dhe në vend të tij është zgjedhur Irena Nikaj, përfaqësuese e Partisë Socialiste.
Ky votim erdhi pas ndryshimit të raporteve të anëtarëve të këtij Këshilli. Të majtët që ishin në minorancë kaluan në mazhorancë me 39 këshilltarë për shkak se 6 këshilltarë të Partisë Demokratike kaluan me Partinë Socialiste.
Mes tyre edhe dy këshilltarët e Komunës Miras, të cilët më pas nuk morën pjesë në votim sepse deklaruan se janë kërcënuar me jetë.
“Dy këshilltarëve u është bërë presion nga persona të ndryshëm. Ne gjendemi pranë tyre. Ata kanë marrë pjesë në mbledhjen që filloi Këshilli i Qarkut dhe në momentin që filloi votimi ata nuk janë kthyer. Na kanë bërë me dije që u është bërë presion dhe janë larguar. Ne kërkojmë nga organet kompetente që të hetojnë këtë situatë dhe të jënë në krah të personave në fjalë”, deklaroi kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu.
Gjatë procesit të mbledhjes dhe votimit, deputeti Edmond Spaho deklaroi se Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim po vazhdojnë blerjen e votave.
“Rasti i Qarkut Korçë është shkatërrim i themeleve të demokracisë pasi të zgjedhurit e një force politike kundërshtare blihen me mjetet që të ofron pushteti. Ai është provokacion i hapur ndaj opozitës dhe thyerje e rregullave të lojës në një vend demokratik nëpërmjet blerjes dhe trafikimit të votave”, deklaroi Spaho.
Nga Partia Demokratike drejt Partisë Socialiste kaluan kreu i Komunës Moglicë, Afrim Beqiri, kreu i Komunës Qendër Leskovik, Dhori Bregu, këshilltaret Andon Hyska, Gavril Hyska dhe Alketa Zaçe. Mes tyre është edhe kreu i Komunes Çlirim në Kolonjë, Arjan Dhimo, një nga zyrtarët vendorë të akuzuar direkt për dëmtim të pyjeve, pas një publikimi nga Top Channel se tre kryetarë komunash ishin edhe pronarë të pikave të sharrave që shfrytëzonin pyjet e Kolonjës, ata janë marrë nën hetim.
Ata shfrytëzonin pyjet të cilat kishin në administrin si njësi vendore në konflikt të hapur interesi. Nën akuzë ishte edhe kreu i Komunës Çlirim Arjan Dhimo, që tani kaloi nga Partia Demokratike nën siglën e Partisë Socialiste.
Top Channel