Opozita reagoi pas Konferencës së Kryetarëve, për kërkesën e saj për ngritjen e një tjetër Komisioni Hetimor parlamentar, për hetimin e fenomenit të narkotrafikut në Shqipëri.

Ky është një zhvillim tronditës, sepse provon shqetësimin opozitar, se rrënjët e kartelit të narkotrafikut arrijnë deri te kryeministri, deklaroi deputeti Eduart Halimi.

“Kjo kërkesë u rrëzua nga mazhoranca, duke refuzuar që të hetohet mbi këtë fenomen, që ka mbërthyer vendin dhe është duke u kthyer në një dukuri jashtëzakonisht shqetësuese për Shqipërinë, për shqiptarët, por edhe për fqinjët tanë europianë. Ne kërkuam që të mos u mohohet qytetarëve, e drejta e transparencës ndaj fenomenit të narkotrafikut, që ka pushtuar sot tokën, detin dhe ka arritur kulmin e vet, ka pushtuar ajrin, siç u faktua edhe nga ngjarja e rëndë e Divjakës, në datën 10 Maj”, tha Halimi.

Ristani: Trafikantët po kërcënojnë dëshmitarët
“Kriminelët po mbrohen nga kumbarët e tyre politikë”

Më herët, ishte deputeti demokrat Arben Ristani, që foli mbi këtë çështje, i cili ka denoncuar të premten në një deklaratë për shtyp kërcënimin që, sipas tij, i është bërë një dëshmitari të avionit të Divjakës, për të cilin nuk është marrë asnjë masë mbrojtëse.

“Dëshmitari okular i rastit të Divjakës thotë se është kërcënuar. Për këtë nuk është marrë asnjë masë mbrojtëse. Kërcënuesit mund të bëjnë gjithçka, sepse janë të mbrojtur nga kumbarët e tyre në Parlament”, ka deklaruar Ristani.

Deputeti opozitar i ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese në vend që të marrin seriozisht këtë rast dhe të veprojnë pa u ndikuar nga politika.

“I bëjmë thirrje policisë që të zbatojë ligjin dhe të marrë në mbrojtje dëshmitarin. I bëjmë thirrje edhe prokurorisë që të veprojë para se karteli kriminal të zhdukë provat e trafikut të drogës”, ka shtuar Ristani.

Top Channel