
Ish-kryeministri Sali Berisha përgënjeshtroi akuzën e nënkryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla se ai është pronar i një vile në Gjirin e Lalzit.
Sipas ish-kryeministrit, Taulant Balla po përdoret për të shpifur kundër tij nga kryeministri Edi Rama në përpjekje për të mbuluar skandalin e narkotrafikut. Zoti Berisha thotë se ai nuk është pronar i asnjë vile në Gjirin e Lalzit dhe se fotot që deputeti socialist tregon i përkasin vilës së një biznesmeni.
Një ditë më parë në parlament, zoti Balla deklaroi se Sali Berisha dhe Argita Malltezi po ngrenë me shpejtësi një kat pa leje të vilës së tyre. Por sipas ish-kryeministrit edhe kjo është një shpifje, pasi ai nuk ka asnjë lidhje me biznesmenin, të cilit i përket vila që duket në foton e paraqitur nga Taulant Balla.
Në deklaratën e tij, zoti Berisha i kujton kryeministrit Rama “blerjen e tokës për ndërtimin e vilës së tij në Dajt me një çmim 20 herë më të lirë se sa cmimi i tregut”.
Ndërsa shpifjet ndaj tij, zoti Berisha i cilëson “amoralitet dhe frikë e kryeministrit Rama për daljen në dritë të aferave të tij”, që sic shkruan me ironi Berisha, “nuk ka mushkonjë dhe gjethe fiku t’i mbulojë”.
Por menjëherë ka reaguar deputeti Taulant Balla. “E ftoj deputetin Sali Berisha të shkojmë së bashku në Gjirin e Lalzit, ku t’i tregoj super-vilën në pronësi të vajzës së tij Argita Berisha. E mirëkuptoj se për shkak të moshës ndoshta ka harruar që aty në atë vilë Sali Berisha ka qenë vetëm para disa ditësh. Të gjithë në Gjirin e Lalzit e dinë ku është Vila e Argitës. Vetëm Saliu nuk e ditka?! Ajo është vila më e madhe. E vetmja që ka tre kate, nga dy kate që është norma e lejuar në planin e studimit urbanistik të kësaj zone”, thotë ai.
Deputeti socialist i kërkon INUK që të verifikojë dokumentacionin e vilës, e ndërtuar, sipas tij, mbi gjurmën e një ndërtesë shumë herë më të vogël.
Top Channel