SHBA, naftë në rrugët e Los Anxheles

15/05/2014 00:00

Një tub nafte në Los Anxheles ka pësuar dëmtim duke derdhur rreth 45 mijë litra naftë në rrugët e qytetit. Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti i Zjarrfikësve.

Tubi e lëshoi naftën në ajër dhe në një zonë prej 0.8 kilometrash lënda u përhap e tëra, saktësoi LAFD në një komunikatë për shtyp.

Lëvizja e naftës në linjën e tubave u mbyll në distancë dhe rreth orës 6 të mëngjesit, me orën lokale, shumica e naftës ishte pastruar.

Katër persona raportohet se patën probleme me frymëmarrjen dhe dy prej tyre u dërguan në spital. Gjithashtu, nga nafta u dëmtuan disa dyqane e restorante, ndërsa një klub nate u evakuua.

Shpërthimi i tubit të naftës ndodhi në orët e para të së enjtes, në afërsi të rrugës San Fernando, një aks i rëndësishëm i Los Anxhelesit.

Zëdhënësi i Zjarrfikësve, Erik Scott deklaroi se nuk ka të dhëna që nafta e derdhur të ketë hyrë në tubacionet e thithjes së ujit, që dërgojnë prurjet e reshjeve në lumin e qytetit. Sidoqoftë, Scott tha se është e mundur që nafta të ketë depërtuar nën kapanxhat e zonës.

Incidenti u raportua në Departamentin e Zjarrfikësve në 02:05 me orën lokale dhe kompani të specializuara mbërritën në vendin e ngjarjes për të pastruar zonën e ndotur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB