Presidenti nigerian Goodluck Jonathan do të vizitojë ditën e premte fshatin verilindor, ku më shumë se 200 vajza janë rrëmbyer që prej një muaji nga rebelët islamik të Boko Haram. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të lartë të qeverisë vendase.
Kjo do të jetë vizita e parë e Jonathan që nga kryerja e rrëmbimit në Chibok, që tashmë është kthyer në vëmendjen e ndërkombëtarëve, duke krijuar një zemërim global.
Zyrtarët kanë thënë se Presidenti do të udhëtojë në Paris në një samit rajonal të sigurisë, në të cilin do të diskutohet edhe për rebelët e Boko Haram. Jonathan është vënë nën presion për të shtypur kryengritësit, të cilët kanë vrarë me mijëra persona për të krijuar një shtet islamik. Qeveria është kritikuar për reagimin e saj të ngadaltë lidhur me këtë rast.
Goodluck Jonathan kërkoi një javë më parë nga Franca të organizonte një samit sigurie me fqinjët e Çadit, Kameruni, Nigeria Benini dhe me zyrtarë nga SHBA-ja, Britania dhe BE-ja.
Gjatë ditës së enjte është miratuar kërkesa e Presidentit për të shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme edhe për 6 muaj në tre qytete verilindore ku ushtria po lufton me militantët islamikë.
Së fundmi edhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Michelle Obama ka ndërmarrë një fushatë për gjetjen e vajzave të rrëmbyera nga organizata terroriste islamike e Boko Haram, të cilës i janë bashkuar një numër i madh personazhesh të njohur, duke u solidarizuar për gjetjen dhe shpëtimin e vajzave.
Top Channel