Këshilltari i Erdogan rreh protestuesin

15/05/2014 00:00

Reagimi i dhunshëm i një këshilltari të kryeministrit Recep Taip Erdogan ndaj një protestuesi në Soma, vendin e tragjedisë së minierës ka shkaktuar zemërim në rrjetet sociale dhe mbarë opinionin publik turk.

Në pamje, Yusuf Yerkel, një prej këshilltarëve më të ngushtë të kryeministrit turk shfaqet duke goditur me shkelma një protestues që mbahej në tokë nga dy trupa speciale të policisë turke, të vendosur në qytetin ku ndodhi tragjedia për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe njëkohësisht për të parandaluar protestat.

Sipas informacioneve protestuesi ka sulmuar njërën prej makinave të karvanit kryeministror që po zhvendosej në vendin e incidentit. Kjo ka ngjallur reagimin e këshiltarit, që sipas mediave turke është zv.shef i kabinetit të kryeministrit.

Vetë Yerkel ka pranuar se ka goditur protestuesin dhe pritet që në një kohë të shkurtër të dalë në një deklaratë publike.

Ndërkohë raportohet se Erdogan është pritur me protesta në Soma. Manifestuesit thërrisnin “Vrasës!” dhe “Hajdut!” dhe kryeministri në një moment është izoluar në një supermarket i rrethuar nga forca të shumta policore për t’i shpëtuar zemërimit të turmës.

Ministri i Energjisë, Taner Yildiz foli për tetë trupa të tjerë të pajetë, të nxjerrë gjatë natës, çka e çoi bilancin e vdekjeve nga 274 në 282. Rreth 150 minatorë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.

Operacioni i shpëtimit u pezullua për disa orë për shkak të përqendrimeve të larta të gazit nëntokë, që u desh ta pastronin. Nga ana tjetër, në minierë vazhdonte të digjej një zjarr, i cili i ka vështirësuar edhe më shumë përpjekjet e kërkimit.

Miniera e Soma-s u privatizua në 2005-n. Një ligjvënës i opozitës e akuzoi qeverinë e Erdogan-it se ka refuzuar propozimin për hetim parlamentar, mbi të gjitha aksidentet e këtij lloji në zonë, ndërsa Ministria e Punës pretendon se në minierën e tragjedisë ishin kryer inspektime të rregullta, më i fundit prej tyre në muajin Mars.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB