Berisha, një Eskobar në protestë kundër trafikut të drogës?!

15/05/2014 00:00

Andrea Stefani – Nëse vota shpreh mendimin e njerëzve se cili lider, cila parti apo qeveri, i shërben më mirë atij që ata e quajnë si interes apo e mira e tyre, atëherë ka një problem të madh për Berishën dhe opozitën e tij.

Që ka të bëjë me Lazaratin. Sepse dihet që ky fshat ka votuar tradicionalisht në favor të Sali Berishës dhe PD. Një votë që nuk mund të shkëputet dot nga interesi që lazaratasit kanë për të mbjellë dhe tregtuar kanabisin. Dhe me sa na tregon vota e tyre në këta 23 vjet, ndihen më të sigurt në mbjelljen, korrjen dhe shitjen e kanabisit sa kohë që në pushtet është Sali Berisha. Prandaj nëse vërtet Shqipëria na qenka shndërruar në Kolumbi, dukuria e tolerimit më shumë se 8-vjeçar të kultivimit të kanabisit nuk mund të mos të bëjë të mendosh se Eskobari i saj është Berisha.
 
***
Kemi parathënë me kohë se Berisha që nga momenti kur u rrëzua nga pushteti me votë, do ketë vetëm një gjakim të ethshëm: Si të rikthehet sa më shpejt në pushtet. Për këtë i duhet të prishë ciklin normal të ndërrimit të qeverive, i duhet të prodhojë artificialisht një krizë. Prandaj është vënë në kërkim të preteksteve për të rrëzuar Edi Ramën. Dështoi ta rrëzojë me armët kimike, dështoi me protesta për nëpunësit civil, dështoi me krizën ekonomike, dështoi me tritolin dhe tani mjaft i dëshpëruar se koha po kalon është kapur, si i mbyturi që kërkon shpëtim, pas gjethes së kanabisit të mbjellë në kohën e qeverisë së tij.
 
***
Berishën e kanë toleruar për shumë tragjedi, korrupsione dhe krime qeverisëse. Ndërkaq, ai vetë nuk të fal as qimen. Atë e falin kur bën krime. Ai të shpall kriminel edhe kur s’ke bërë krim. E kanë toleruar për piramidat, për krimet e vitit ’97, për grushtin e shtetit’ 98, për grushtin e shtetit në Komisariatin e Tropojës në vitin 2000, për korrupsionin shumëmilionësh të rrugës Durrës-Kukës, për tragjedinë e përgjakshme të Gërdecit, për masakrën e 21 janarit. Dhe nga kjo tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, që vjen nga dobësia e kundërshtarëve të Berishës, por edhe mungesa e sistemit të drejtësisë, ka pjellë një monstër të politikës që destabilizon vendin sa herë, i ndodhur larg pushtetit, ndihet e kërcënuar nga ngjallja e drejtësisë që vetë ka vrarë. Nuk ka dhënë dorëheqje as kur shteti ka vajtur buzë greminës për faj të piramidave të toleruara prej tij, nuk ka dhënë dorëheqje as kur trafiqet e njerëzve të tij hodhën në erë Gërdecin duke vrarë njerëz, nuk ka dhënë dorëheqje kur gardistët e tij vranë gedafçe qytetarë të pafajshëm para syve të tij. Dhe tani kërkon dorëheqjen Ramës vetëm, sepse është shfaqur befas dhe mistershëm një avion që do merrte kanabisin e mbjellë po nën qeverisjen e tij. Qesharake dhe kulmi i sensit të masës dhe i mungesë së balancës.
 
***
Tre janë hipotetikisht skenarët që mund të shpjegojnë shfaqjen e avionit në Divjakë:
1- Që Berisha vetë ta ketë organizuar ardhjen e avionit, në bashkëpunim me bosët e këtij trafiku ajror të stabilizuar gjatë 8 viteve të qeverisjes së tij, për të provuar me “fakte” akuzat e tij për trafik ajror të drogës, deri në atë moment të pafaktuara. 2- Që Berisha, ndryshe nga qeveria “Rama”, i informuar për ekzistencën e një trafiku të drogës me avionë gjatë 8 viteve të qeverisjes së tij, ishte i sigurt se një gjë e tillë do ndodhte së shpejti.
3- Që qeveria “Rama” është bashkëpunëtore dhe organizatore e trafikut ajror të drogës sikundër akuzon Berisha dhe se Rama e meriton të dorëhiqet siç kërkon edhe Berisha.
 
***
Në favor të dy skenarëve (1 dhe 2) flet mbi të gjitha një thënie e Berishës gjatë debatit në Parlament mbi ekzistencën apo jo, të trafikut me avionë. Kur shumica hodhi poshtë akuzat për mungesë provash, opozita u përgjigj se edhe provat i kishin. Vetë Berisha premtoi: Edhe provat do dalin! Përse e kishte fjalën? Për provat që pretendonin se kishin deri në atë moment apo, për avionin e Riformatos që pritej të vinte? Fakti është që edhe sot e kësaj dite, opozita nuk ka treguar ende asnjë provë nga ato që pretendonte se i kishte kur ngriti akuzën për herë të parë Arben Imami. Çfarë i pengon t’i nxjerrin këto prova përveç mungesës së tyre? Mosfaktimi i akuzave të Imamit me prova, të bën të dyshosh se Berisha kishte nevojë urgjente për një “provë” që të faktonte se Rama është “Eskobar”. Të bën të dyshosh se midis kësaj nevoje të Berishës dhe ardhjes së avionit në Divjakë ka një lidhje. Pra është vepër e Berishës në bashkëpunim me trafikantët apo aktivitet rutinë i këtyre të fundit, por i pritshëm për një politikan si Berisha të mirinformuar në 8 vjet për një trafik të tillë, vepër e ndonjë agjenture të interesuar për destabilizimin e Shqipërisë apo e të gjithë këtyre së bashku, është çështje hetimesh dhe kohe. Por nuk është e para herë që situata në Shqipëri trazohet për shkak ngjarjesh të mistershme. Në prill 1991 vriten 4 protestues të PD-së para komitetit të PPSH në Shkodër. Vrasjet çuan në rrëzimin e qeverisë së majtë dhe i hapën rrugë ardhjes së Berishës në pushtet. Kurrë nuk u mësua se kush ishin vrasësit e vërtetë, ndërkohë që deputetë të PD-së u dyshuan se kishin zhdukur provat. Në shtator 1998 vritet Azem Hajdari dhe menjëherë pas kësaj PD organizon një sulm të armatosur mbi Kryeministri. Edhe në atë kohë ishte Berisha që sapo kishte humbur pushtetin dhe kërkonte me ngulm rikthimin. Është po Berisha që po e kërkon me ngulm pushtetin e humbur duke përdorur si pretekst avionin e Divjakës. Përgjithmonë Berisha, Berisha dhe vetëm Berisha që utilizon krime të errëta në favor të marrjes apo rimarrjes së pushtetit. Një rastësi?! Por një rastësi që përsëritet vazhdimisht, nuk është më një rastësi.
 
***
Për skenarin 3, që fajëson qeverinë, nuk ka fare prova, por vetëm akuza hipotetike. Edhe ardhja e një avioni si ai në Divjakë, apo qoftë e ndonjë tjetri nesër, nuk është medoemos provë se qeveria ka lidhje me këtë trafik. Ndërkaq, kundër këtij skenari ka disa prova. Dhe ato janë: sekuestrimet nga policia sot të sasive shumë më të mëdha të kanabisit të mbjellë në kohën e Berishës. Betonimi i aeroporteve nga ushtria që vështirëson uljen e avionëve të drogës. Interceptimi i avionit të Divjakës nga radarët e Rinasit dhe dhënia në kohë e alarmit për policinë. Arrestimi nga policia në Divjakë e trafikantit shqiptar me drogën që do të ngarkohej në avion. Të gjitha këto flasin për një luftë të qeverisë kundër trafikut dhe jo për bashkëpunim. Pas kësaj të lind dyshimi se lufta që i bëhet qeverisë, kërkesat për dorëheqjen e Ramës dhe Tahirit pa mbushur as edhe një vit në zyrë, më shumë se kërkesa të një opozite që aspiron çlirimin nga trafiku, janë më në koherencë me kërkesat e botës së krimit dhe trafiqeve kundër një qeverie, Kryeministri dhe ministri që po kërcënojnë seriozisht botën e krimit! Tingëllojnë si presione të një Eskobari mbi një qeveri që e rrezikon. Tritoli nuk është gjë para drogës! – thotë Berisha. Dhe në fakt, fushata e tritolit është fashitur. Ndërkaq vjen një avion në Divjakë sapo Berisha shpall se problem kryesor për Shqipërinë është trafiku i drogës! Si shpjegohet ky sinkron?
 
***
Në favor të hipotezës se Berisha është një Eskobar dhe jo një kundërshtar i trafikut të drogës, është edhe qëndrimi tolerant që ai ka mbajtur në vazhdimësi ndaj kultivimit të drogës në Shqipëri. Edhe sipas cikleve të mbjelljes dhe korrjeve, kanabisi që po tregtohet apo bllokohet sot, është mbjellë në kohën kur në qeveri ishte Berisha. Shkurt Berisha denoncon tonelatat e kanabisit që janë mbjellë në kohën e qeverisjes së tij. Edhe në këtë rast Berisha kërkon të nxjerrë përfitime politike nga një e keqe që e ka toleruar, në mos inkurajuar vetë. Ashtu si ka bërë me piramidat financiare, me borxhin publik apo dhe me konfliktualitetin politik.
 
***
Tolerancën e Berishës ndaj kultivimit të kanabisit e provon edhe dashuria politike që kultivuesit e kanabisit shfaqin ndaj tij. Veçanërisht ata të Lazaratit. Vota e fermerëve të drogës, në mënyrë konstante për Berishën, provon se ata ndihen më komodë nën qeverisjen e tij. Ndërkaq, nuk mungojnë edhe rastet kur PD i ka dalë në mbrojtje Lazaratit. Si në vitin 2004 kur një helikopter italian, që fotografonte arat e mbjella me kanabis në Lazarat, u qëllua me armë nga kultivuesit e drogës. Në debatin që pasoi, PD mbrojti spekulimin se kishte qenë helikopteri që kish qëlluar më parë shtëpitë e fshatit! Edhe këto ditë Berisha nuk mungoi të revokojë virtytet e lazaratasve. Kujdeset për lazot njëso si ata për filizat e drogës. Dhe sot, ky mbrojtës i kultivimit të drogës, del në protestë kundër trafikimit të saj. Një Eskobar që proteston kundër trafikut të drogës?!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA