Në bashkëpunim me fondacionin “Hanns Seidel”, në Bruksel u zhvillua, konferenca me temë “Sundimi i ligjit dhe proceset e reformave në Shqipëri” ku shefi i drejtësisë, Xhezair Zaganjori shprehu vullnetin për të luftuar korrupsionin në gjyqësor.
“Ekziston korrupsioni kudo në fakt por në fushën e gjyqësorit shfaqet në formën më të shëmtuar. Unë e theksova dhe në fjalën time sepse në emër të drejtësisë jepet padrejtësi. Në emër të drejtësisë kryhet një vepër penale nga gjyqtari, një vepër e dënueshme penale, dhe praktikisht nuk ka gjykatë kur gjyqtari e jep vendimin për shkak të korrupsionit apo për shkak të mbështetjes së influencave apo për shkak të presionit politik, sepse nuk ka më gjykatë të pavarur dhe neutrale, të cilat janë vlerat kryesore të sistemit të drejtësisë. Në këtë kuadër duhet të luftohet për të rritur integritetin e gjyqtarëve, duhet të rritet bashkëpunimi me pushtetet e tjera, të perfeksionohen dhe teknikat e hetimit e gjykimit të këtyre çështjeve e mund të kërkohet edhe ndryshimi i Kushtetutës, sepse mendoj se me të drejtë u përmend dhe nga një ekspert ndërkombëtar se ne për një kategori personalitetesh kemi gjykatën e lartë me një juridiksion fillestar, ndërkohë që gjykata e lartë mund të ishte shumë mirë në juridiksionin e zakonshëm për në rastet korruptive që mund të gjykoheshin, pse të mbyllen thjeshtë me një gjykim në gjykatën e lartë”, deklaroi Zaganjori.
Sipas Zaganjorit, brenda vitit do të ketë një vendim mbi çështjen e 21 Janarit 2011, ku BE pret gjykim të besueshëm në mënyrë që të kthehet besimi tek institucionet vendase.
“Dosja ndodhet në gjykatën e lartë. Ne e dimë relatorin. Dimë trupën gjyqësore, e ka kolegji penal. Dosja po gjykohet dhe besoj se brenda këtij viti do të jepet vendimi”, shtoi shefi i drejtësisë, Xhezair Zaganjori.
Në këtë konferencë, ku merrnin pjesë dhe përfaqësuese të Komisionit dhe vendeve anëtare, Shqipëria u përfaqësua me ministren e integrimit, zëvendësministren e brendshme dhe numrin 2 të dikasterit të drejtësisë.
“Mesazhi kryesor është që Shqipëria të shikohet dhe të vlerësohet mbi bazën e arritjeve që ka marrë deri tani. Qershori është i rëndësishëm sepse do të diskutohet për çështjen e statusit kandidat dhe ne shpresojmë që procesi i arritur nëpërmjet plotësimit të 5 prioriteteve, atij plani pune të detajuar mbi të cilin ne kemi punaur deri më tani dhe arritjeve mê të shumta të ndërmarra nga ky plan pune, me të vërtetë shikohen me rigorozitet nga vendet anëtare, dhe ne le të gjykohemi mbi këtë bazë”, tha Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Europian.
Shefi i njësisë për Shqipërinë në Komision, Maragos, përsëriti qëndrimin e shprehur dhe gjatë Këshillit të Stabilizim Asocimit me vlerësimet e deritanishme mbi punën dhe detyrat që mbeten për Tiranën.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel