Përkeqësohen tensionet Kinë-Vietnam

14/05/2014 00:00

Tensionet mes Kinës dhe Vietnamit lidhur me pretendimet territoriale në Detin Jugor të Kinës kanë bërë që në shtetin e vogël një grup protestuesish t’i vendosnin flakën disa fabrikave tajvaneze.

Burime paraprake folën për tre fabrika të djegura ditën e martë, por të tjera thanë se fabrikat e djegura ishin 15. Për fat të mirë nga flakët nuk ka pasur viktima, por zyrtarët thanë se një seri arrestimesh janë kryer.

Protestat u mbajtën pasi Kina lëvizi mjetet e saj lundruese në ujërat e pretenduara nga Vietnami më herët gjatë muajit.

Në një deklaratë të shkurtër për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze i cilësoi si “provokuese” veprimet e Vietnamit dhe deklaroi se Pekini i ka shprehur shqetësimin e tij Hanoit zyrtar.

Pas publikimit të lajmeve për djegien e kompleksit të fabrikave tajvaneze, autoritetet e ishullit dënuan ashpër protestat dhe thirrën për sqarim të dërguarin e posaçëm vietnamez në Taipei, për të shprehur shqetësimin e tyre.

Stafi menaxhues i parkut industrial ku ndodheshin fabrikat deklaroi se protestuesit u mblodhën të hënën në qytetin Thuan An, në provincën jugore Binh Duong.

Fabrikat në fjalë menaxhohen nga biznesmenë kinezë, prandaj dhe qytetarët vietnamezë iu vërsulën atyre. Një zëdhënës i kompleksit sqaroi për BBC se atyre iu vu flaka të martën pasi punëtorët kishin përfunduar orarin e punës dhe ishin kthyer në shtëpitë e tyre.

Top Channel