Ndërron jetë regjisori Malik Bendjelloul

14/05/2014 00:00

Regjisori Malik Bendjelloul,  fituesi i çmimit Oscar në vitin 2013 me filmin dokumentar  “Searching for Sugar Man” dedikuar artistit amerikan Sixto Rodriguez, ndërroi jetë në moshën 36-vjeçare në rrethana ende të paqarta.
 

Edhe pse policia ka përjashtuar vdekjen nga dhuna, ende nuk ka dhënë arsyet e vdekjes së regjisorit. Regjisori Malik Bendjelloul ndërroi jetë të martën në mbrëmje në Stokholm. Familjarët e  konfirmuan vdekjen e tij.  

Filmi dokumentar “Searching for Sugar Man” në Sundance u vlerësua edhe me çmimin “World Cinema Audience” në vitin 2012. Gjatë intervistave ai pranoi se ideja për dokumentarin i kishte ardhur gjatë udhëtimeve të shumta që ai bënte.

Malik Bendjelloul fëmijërinë e kaloi në Suedi, prindërit e tij kishin përkatësisht profesionin e piktorit dhe përkthyesit. Ai ka marrë pjesë qysh në vitet 1990 në një serial televiziv suedez Ebba dhe Didrik.

Malik Bendjelloul ka studiuar gazetari dhe produksion në Univeristetin Linnaeus në Suedi dhe gjithashtu ka punuar edhe si reporter i televizionit publik suedez, SVT.

Top Channel