Forcohet politika anti-euro në Gjermani

14/05/2014 00:00

E krijuar vetëm një vit më parë nga akademikë, gazetarë dhe biznesmenë në mesin e krizës së borxhit që përfshiu Europën, Alternativa për Gjermaninë, AFD, kërkon fundin e euros dhe rikthimin tek marka.

Konsensusi politik në Gjermani është gjerësisht pro-europian, por mesazhi i kësaj partie ka prekur një pikë nevralgjike për shumë nga vendasit e irrituar prej deklaratave të Angela Merkel se nuk ka zgjidhje tjetër veç dorëzanisë për shpëtimin e vendeve problematike të eurozones.

AFD-ja mori 4,7% të votave në zgjedhjet e shtatorit të kaluar, duke iu afruar hyrjes në parlamentin kombetar. E cilesuar ndryshe si ‘Tea Party’ e Gjermanisë, ajo duket të ketë shanse për të mbërritur në një tjetër Parlament, atë Europian.

“Ne duam që vendet jugore të Europës të largohen nga zona e monedhës së përbashket. Që të ndodhë një gjë e tillë duhen ndryshuar traktatet europiane për të siguruar kështu një kornizë ligjore, e cila aktualisht mungon. Kërkojmë në të njëjtën kohë t’i jepet fund ndihmave të ofruara përmes mekanizmit të stabilitetit europian dhe financimeve shtetërore përmes BQE-së”, deklaron Bernd Lucke, themelues dhe lider i AFD-së.

Analistët politikë thonë se AFD-ja vazhdon të tërheqë vota proteste, por ka fituar ndërkohë edhe simpatinë e liberalëve ekonomikë, të cilët pretendojnë fundin e dorëzanive europianë si dhe atë të konservatorëve të zhgënjyer me kthesën e Merkel nga qendra.

“Ne periudhën afatgjatë, AFD-ja ka shansin të gjejë vendin e saj mes partive të tjera nëse arrin të kombinojë pozicionet konservatore e liberale të tregut, në mënyrë që të kthehet në një forcë të bashkuar, e cila nuk minohet nga luftërat e brendshme”, deklaron Carsten Koschmieder, ekspert i politikës.

Ndryshe nga lëvizje të tjera anti-euros në kontinentin e vjetër, siç është Fronti Nacional i Marine Le Pen në Francë, AFD-ja nuk e përshkruan veten si grupim nacionalist dhe këmbëngul se nuk është kundër emigracionit.

Kritikët mendojnë se ajo po tenton të tërheqë sa më shumë simpatizantë nga ekstremi i djathtë, një taktikë që mund ta ndihmojë në zgjedhjet rajonale në lindje të vendit, ku pakënaqësia me qeverinë është më e përhapur.

Top Channel