Pas Kofi Annan edhe Lakhdar Brahimi, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe në Siri dha dorëheqjen nga detyra e tij.
Të dy nuk arritën të gjejnë një zgjidhje paqësore për konfliktin 3-vjeçar që numëron sot mbi 150 mijë viktima.
Gjatë një konference për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon tha se “mandati i Brahimit do të përfundonte me 31 Maj”.
Ai vlerësoi veteranin diplomat dhe shtoi se “OKB nuk mundi të arrijë asnjë progres në Siri”. Sipas tij, “Brahimi u përball me situata të pamundura sepse bashkësia ndërkombëtare ka qene e ndare”.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara nuk foli për një pasardhës në detyrën e negociatorit me Damaskut.
Diplomati algjerian 80 vjeçar “mbrëmjen e së martës do të informojë për vendimin e tij edhe Këshillin e Sigurimit”.
Një gazetë arabe raportoi se “Lakhdar Brahimi kishte menduar të jepte dorëheqjen që në momentin kur presidenti sirian Bashar Al Assad shpalli zgjedhjet presidenciale në fillim të këtij muaji”.
Brahimi u përpoq për krijimin e një qeverie tranzicioni në Siri ku të bënin pjesë përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës. Ai drejtoi dy raunde negociatash për paqen mes qeverise dhe opozitës siriane në Gjeneve të Zvicrës, por pa sukses.
Top Channel