SHBA-Britani, shmanget “impakti” ajror

13/05/2014 00:00

Forcat Ajrore Mbretërore dhe ato të Shteteve të Bashkuara kanë pasur një kontest, që gjithësesi asnjëherë s’ka rrezikuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Përplasja konsistonte në faktin se një avion luftarak britanik, tip “Tornado”, ka fluturuar pranë një avioni amerikan që transportonte parashutistë, duke shkaktuar shqetësimin e këtij të fundit.

Ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, në bazën ushtarake amerikane në Norfolk, por vetëm këto ditë është bërë publike, pasi një grup i posaçëm ka mbyllur hetimet.

Piloti britanik u kishte thënë oficerëve përgjegjës amerikanë se kishte të gjitha të drejtat për t’u ndodhur atje, në kuadër të një stërvitjeje.

Autoritetet britanike që hetuan ngjarjen deklaruan të hënën se të dy avionët kishin të drejtë të ndodheshin në hapësirën ajrore, por nënvizuan se nevojitet një koordinim më i mirë i dy forcave ajrore.

Hetimet nisën pasi piloti i avionit amerikan “Hercules” konstatoi se “Tornadoja” britanik po fluturonte shumë pranë tij. Edhe pse nuk përbënte një kërcënim, ai shprehu shqetësimin për sigurinë e parashutistëve.

Nga hetimet është përcaktuar se dy avionët ndodheshin në një distancë prej 2.4 kilometrash. Piloti britanik deklaroi se “Hercules” ishte gjithmonë i dukshëm dhe për këtë arsye kishte qëndruar gjatë gjithë kohës larg tij.

Edhe hetuesit arritën në përfundimin se të dy palët kishin të drejtë fluturimi në zonë dhe se incidenti ishte thjesht çështje perceptimi.

Top Channel