
Konsumi i alkoolit në mbarë botën është shkaku kryesor i të ashtuquajturave vite të jetës, që humbasin për shkak të aftësive të kufizuara apo vdekjes.
“Një gotë s’të bën gjë”, ndoshta, por shpesh puna nuk mbetet vetëm te një gotë, dhe këtë e tregon edhe raporti aktual i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në bazë të studimeve mund të përllogaritet se sa vite jetë humbet një person, që konsumon shumë alkool, jo vetëm për shkak të vdekjes, por edhe faktit se ai shpesh është i paaftë për punë, për shembull për shkak të cirozës së mëlçisë.
Raporti tregon se gjatë 2012-s, nga përdorimi i tepruar i alkoolit në mbarë botën, humbën jetën 3,3 milionë vetë. Kjo përbën 6% të të gjitha rasteve të vdekjeve. Përveç kësaj, ekziston një lidhje mes pijeve alkoolike dhe 200 sëmundjeve të ndryshme, përfshirë ato kardiovaskulare e mendore.
Veç ndikimeve negative ndaj shëndetit, konsumi i madh i alkoolit ka edhe pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.
Sipas rekomandimeve të OBSH-së, kufijtë e rekomanduar për gratë janë rreth 20 gram alkool i pastër në ditë, pra rreth 0,2 litra verë. Për burrat, kufiri maksimal i rekomanduar është 40 gram. Por, këto nivele, sipas ekspertëve, kanë të bëjnë vetëm me sëmundjet që mund të shkaktohen prej alkoolit, jo me rrezikun për të krijuar varësi prej tij, për të cilin nuk ka sasi të përcaktuara.
Top Channel